Shqipëria po përjeton një rritje të turizmit, me tregje të reja që po zgjerojnë gamën e vizitorëve. Në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News, operatori turistik dhe eksperti i fushës, Isa Krasniqi, u shpreh se ardhja e fluturimeve direkte nga vende si Jordania është një zhvillim pozitiv që ndihmon të gjithë industrinë.
Megjithatë, ai thekson se, ndonëse vendi ofron potencial të lartë dhe bukuri natyrore të pasura, shpeshherë cilësia e shërbimeve nuk është në përputhje me çmimet që ofrohen. Krasniqi apelon për rritjen e standardeve dhe përqafimin e një kulture të mirëfilltë turistike, duke vënë në dukje se turizmi malor në veri është një alternativë e vlefshme përtej plazheve të zakonshme.
“Ka pasur tregje të reja. Këtë vit ka ardhur avioni direkt nga Jordani, dhe është për t’u përgëzuar. Kjo i ndihmon të gjithë operatorët turistikë. Shqipëria është një vend i cili ka turizëm cilësor, por ka edhe çmime të cilat nuk e justifikojnë. Nuk duhet të jemi pesimistë sepse jemi më lirë se sa fqinjët tanë. Janë më të hershëm se sa ne dhe kanë një kulturë turizmi, që ne na mungon. E gjitha ajo reklamë e madhe që u bë. Është shfaqur Shqipëria e lirë, por mirë është që në ato çmime që kemi ne, të kemi edhe cilësinë. Kemi veriun i cili të jep një turizëm goxha të mirë, sepse në verë jo gjithmonë kërkohet plazhi, por kërkohet edhe natyra”, tha Isa Krasniqi./abcnews.al

