Dy faza të luajtura deri më tani dhe shumë lojtarë të ndëshkuar, me kartonë të kuq e të verdhë. Çuditërisht mungon Albano Aleksi, i cili bënte “kërdinë” sezonet e shkuara. Në dy faza, më shumë “djem të këqij” kanë Kastrioti e Vllaznia. Abcnews.al ka menduar të rreshtojë më të ndëshkuarit nëpër role dhe nga tre vende zihen nga futbollistët e skuadrave të Ndreut e Brdaric.
Nga portierët më i ndëshkuari është Romeo Harizaj i Apolonisë, pasi arbitrat ia kanë treguar pesë herë kartonin e verdhë. Dyshja e qendrës së mbrojtjes është e gjitha nga ekipet veriore, me Silvester Shkallën që numëron tetë të verdhë dhe një të kuq, si dhe Adilin me tetë të verdhë.
Në linjën e majtë janë dy lojtarë, Indrit Prodani (11 kartonë të verdhë) i Kastriotit dhe Aleksandar Isaevksi (4 të verdhë dhe një i kuq) i Vllaznisë. I pari shpesh ka luajtur edhe në sulm, ndryshe nga lojtari i kuqebluve.
Linja e djathtë e mbrojtjes mbulohet nga Sokol Neziri, edhe ky i krutanëve. Anësori ka marrë tre të verdhë dhe një të kuq në dy fazat e para të kampionatit. Në mesfushë më i ndëshkuari është Ardit Krymi, me 6 të verdhë dhe një të kuq.
Krah tij pozicionohen Erisildo Smaçi (Apolonia – 8 të verdhë) dhe Valentino Murataj (Partizani – 5 të verdhë, një i kuq), kurse në sulm Alfred Mensah (4 të verdhë, një i kuq) i Skënderbeut mbështetet nga Agustin Torassa (3 të verdhë dhe një i kuq) i Tiranës kampione në fuqi. /abcnews.al