Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj e ka quajtur të papranueshëm draft-statutin e Asociacionit, të propozuar dje në Bruksel nga ekipi menaxhues, i cili tashmë është shkarkuar nga Qeveria e Kosovës.
Sipas tij, Asociacioni është një e keqe e trashëguar, por i njëjti duhet të jetë domosdoshmërish në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Andaj, Haradinaj beson Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë një draft-statut për Asociacionin, i cili është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Në një prononcim para gazetarëve në Kuvend, Haradinaj është shprehur se zgjidhja se si të vazhdohet tutje për themelimin e Asociacionit i takon ndërmjetësuesve të dialogut.
“Rrjedha e logjikshme është kjo, unë jo se kam informacione por rrjedha e logjikshme është kjo. Besoj se edhe e kanë të shkruar amerikanët dhe evropianët një draft-statut që është në përputhje me Kushtetutën, por është dashur të konsumohet propozimi i parë i komisionit i cili është jo kushtetues”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, Haradinaj është shprehur se përmes nënshkrimit të deklaratës për të zhdukurit, Serbia e pranon faktin se ka ndodhur zhdukja me forcë apo dhunë në Kosovë.
Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq në Bruksel dje kanë nënshkruar deklaratën për të zhdukurit gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ndërkaq, në takimin e tyre është prezantuar edhe draft-statuti i Asociacionit nga ish-ekipi menaxhues, i cili sipas kryeministrit Kurti është i papranueshëm për Kosovën./KosovaPress