Kreu i AAK-së Ramush Haradinaj, nëpërmjet një statusi në rrjetin social “Facebook” bën me dije se ka zhvilluar një takim përfaqësuesin special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Matthev Palmer.
Haradinaj shprehet se fokusi i takimi ishin zhvillimet politike në vend dhe rajon.
Ai gjithashtu thekson se Kosova ka treguar maturi në konsolidimin e demokracisë, ndërsa thekson se AAK është e vendosur në qëndrimin e saj, se roli i SHBA-së është i domosdoshëm për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë.
Statusi i plotë:
Sot, në selinë e Aleancës zhvillova një takim me përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z.Mattheë A. Palmer Zëvendës-Ndihmës Sekretar i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, përgjegjës për Ballkanin Perëndimor dhe Egjeun dhe z.Philip S. Kosnett, ambasador në Kosovë, me të cilët diskutuam për zhvillimet politike në vend dhe rajon.
Kosova ka treguar maturi në funksionim dhe konsolidim të demokracisë, në standardet më të larta dhe është e palëkundur në raportin bilateral dhe strategjik, si dhe miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në takim ritheksova se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është e vendosur në qëndrimin e saj që roli amerikan në dialog është i domosdoshëm dhe i pashmangshëm për arritjen e marrëveshjes gjithpërfshirëse me Serbinë që rezulton me njohje reciproke.
Gjithashtu, ritheksova nevojën e perspektivës euroatlantike të Kosovës dhe antarësimin e saj në NATO.
Kosova është me fat që gjendet përkrah Amerikës, shtet që përkrahu çlirimin dhe ndërtimin e shtetësisë tonë, që edhe më tutje është aleati jonë strategjik dhe partneri më i besueshëm. RH
/abcnews.al/