Haradinaj paralajmëron Thaçin: Shkarkohesh nëse shkel Kushtetutën me Serbinë

schedule13:16 - 6 Korrik, 2018

schedule 13:16 - 6 Korrik, 2018

Kryeministri i Kosovës Haradinaj ka parlajmëruar presidentin Thaçi se mund të shkarkohet nëse shkel kushtetutën e vendit në dialogun me Serbinë. Sipas tij, në këtë fazë të procesit të pajtimit mes dy vendeve duhet të marrë pjesë dhe opozita.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se Prishtina ka vija të kuqe në dialogun me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Duke folur në një konferencë për media, pas mbledhjes së Qeverisë, ai nënvizoi se kushdo që shkelë parimet e vendosura në Kushtetutë, do të shkarkohet, ashtu siç ka ndodhur në të kaluarën, me dy presidentët e mëparshëm të Kosovës.

Ramush Haradinaj, Kryeministër i Kosovës: “Ju e dini se janë shkarkuar presidentë sepse kanë shkelur Kushtetutën. Ne kemi vija të kuqe, ne i kemi në Kushtetutën e vendit. Jemi të shpallur shtet, kemi territor. Nëse dikush del jashtë këtyre, ju e dini, është shkarkuar presidenti dy herë. Unë e kuptoj idenë që të nxjerrim vija të kuqe, që janë parimore, por ne e kemi kontratën nga e cila askush nga ne në Kosovë nuk guxojmë të dalim. Ajo është Kushtetuta e vendit. Konsensusi politik i brendshëm nuk është vetëm t’i mbrojmë vijat, por është që të afirmojmë të drejtën tonë”.

Kryeministri Haradinaj gjithashtu tha se ka parë sinjale të mira nga dy partitë në opozitë, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate, rreth dialogut në Bruksel. Ai shton se në këtë fazë të dialogut duhet të përfshihen partitë e përfaqësuara në Kuvend, veçanërisht ato në opozitë. Ndërkohë, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Sipas Bashkimit Evropian, ky dialog duhet të përfundojë me arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për të dyja palët, që mes tjerash, i çon të dy vendet drejt integrimeve evropiane. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!