Në një konferencë për mediat menjëherë pas përfundimit të takimit urgjent me këshillin e sigurisë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, paralajmëroi serbët në veri të vendit që të mos ndërmarrin asnjë vendim të njënashëm. Në të kundërt do të ketë pasoja.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit urgjent me Këshillin e Sigurisë së vendit në një reagim për mediat theksoi se situata e sigurisë në vend është e qetë. I pyetur nga gazetarët për paralajmërimet e serbëve në veri të Kosovës se do të shpallin pavarësinë, Haradinaj tha se kjo është retorikë e Beogradit. Kreu i ekzekutivit kosovar tha se të shtunën grupi i punës do të dorëzojë raportin për statusin e Asocacionit të Komunave serbe në veri të vendit, duke shtuar se Prishtina po respekton detyrimet e marra përsipër nga dialogu me Serbinë në Bruksel. Haradinaj tha se askush nuk ka të drejtë të marrë vendime të njëanshme. Sipas tij, nëse dikush del nga marrëveshja ndërkombëtare, do të marrë përgjigje nga organet e rendit dhe ligjit.
Madje ai theksoi se për sa i përket veriut, Kosova gjithnjë ka mirëpritur ardhjen e çdo qytetari të botës dhe po pritet mirë në çdo pjesë të vendit, por kushdo që hyn në territorin e Kosovës me qëllim të prishjes së rendit dhe ligjit, do të marrë përgjigje nga ligji ynë. “Jemi në gjendje gadishmërie nëse ka prishje të rendit dhe ligjit”, përfundoi Haradinaj./abcnews.al