Liberalizimi i vizave për Kosovën duhet të jetë pjesë e agjendës së Bashkimit Europian. Ka qenë kjo kërkesa e kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili theksoi se vendi i ka përmbushur të gjitha kushtet. Këto deklarata kreu i ekzekutivit kosovar i bëri gjatë mëngjesit të punës mes kryeministva të Ballkanit Perëndimor në Vjenë.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është takuar me kancelarin austriak, Sebastian Kurz dhe liderët e Ballkanit Perëndimor në Vjenë. Në fjalën e tij në këtë takim pune, Haradinaj theksoi se Kosova ka kryer detyrat e saj përsa i përket liberalizimit të vizave:
Ramush Haradinaj:“Kosova është e përkushtuar në fuqizimin e bashkëpunimit rajonal dhe është e gatshme të marrë përsipër detyrimet e saj, por kjo duhet të jetë reciproke. Për këtë arsye unë kërkoj që liberalizimi i vizave të futet në axhendën e Bashkimit Evropian, sepse Kosova tashmë ka përmbushur kriteret e vendosura nga Bashkimi Europian”.
Takimi në fjalë u organizua nga kancelari austriak, Sebastian Kurz, për të diskutuar rreth perspektivës evropiane të rajonit. Në këtë takim ka qenë i pranishëm dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ajo e Serbisë Ana Brnabiç, ai i Malit të Zi, Dushko Markoviç dhe Denis Zvizdiç si përfaqësues i Bosnje Hercegovinës. Ndryshe nga kolegët e tij, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev ka anuluar pjesëmarrjen në takim për shkak të problemeve të brendshme politike./abcnews.al