Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, duke komentuar mungesën e ftesës për Kosovën në Samitin për Demokraci në Uashington, ka thënë se është shqetësuese dhe alarmuese shkalla e degradimit të raporteve me ShBA-të.
Haradinaj, përmes një postimi në rrjetin social Faacebook, shkruan se “mos-ftesa e Kosovës në Samitin e Uashingtonit duhet të na shqetësojë të gjithëve pa dallim dhe të shërbejë si sinjal alarmi për shkallën e degradimit të raporteve me ShBA-të si rezultat i qeverisjes së Albin Kurtit”.
“Aftësitë eksperimentale dhe manipuluese të kryeministrit Kurti në emër të Kosovës në raportet me ShBA-të, janë të papranueshme dhe nuk duhet të tolerohen nga askush”, ka thënë Haradinaj, transmeton Telegrafi.
Ai më tej ka thënë se “ky degradim i raporteve strategjike me ShBA-të, duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë dhe Kosova ta rikthejë tashmë besimin e venitur”.
“Ftoj kryeministrin Kurti sa më parë të lirohet nga politikat dhe veprimet për llogari të interesave të ngushta dhe agjendave e projeksioneve që synojnë zbehjen e rolit amerikan në Kosovë e rajon”.
Lideri i AAK-së ka thënë se “Kosova nuk ka kohë për të humbur, as nuk ka partner më të afërt sesa ShBA-të, andaj Kryeministri me urgjencë duhet t’i riparojë raportet dhe partneritetin e besueshëm e të shëndoshë me ShBA-të si aleati ynë strategjik”.
“Asnjëherë nuk do ta lejojmë shndërrimin e Kosovës në laborator të eksperimenteve neo-komuniste evropiane që kryeqendër e kanë Moskën dhe qëllim parësor e kanë zbehjen e prezencës dhe rolit të ShBA-ve në Kosovë, rajon e më gjerë”, ka shkruar Haradinaj.