Haradinaj: Kosova po kalon momente të vështira, për shkak të presidentes dhe kryeministrit

schedule20:47 - 9 Qershor, 2023

schedule 20:47 - 9 Qershor, 2023

KOSOVË- Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, thotë se vetëm të koordinuar me Amerikën dhe Bashkimin Evropian mund të fitohet beteja finale me Serbinë. Haradinaj, i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani që të rreshtohen sipas tij, me aleatët dhe të  mbyllet njëherë e përgjithmonë marrëveshjen me njohje reciproke me Serbinë.

I pari i AAK-së tha se mospranimi i sugjerimeve mund të ketë pasoja të rënda për Kosovën.

“Kosova po kalon momente të vështira, për shkak të kryeneçësisë së Kryeministrit dhe pavendosmërisë së Presidentes. Kosova po kalon momente vendimtare e as ata e as ndjekësit e tyre, nuk janë duke e kuptuar rrezikun që paraqet izolimi nga aleatët perëndimorë dhe veprimet që janë përmbysje e gjithë asaj që është arritur deri më sot. Hezitimi që të pranohen sugjerimet e partnerëve tanë strategjikë, posaçërisht ShBA-së, në një situatë kaq vendimtare, mund të kenë pasoja të rënda për vendin. Kryeministri e ka momentin e fundit të heqë dorë nga kursi i mosveprimit e të kalojë në anën e duhur. Vetëm kështu, e të koordinuar me Amerikën dhe BE-në, fitohet beteja e finale me Serbinë”, shkroi ai.

Ish-kryeministi i vendit thotë se kjo është thirrja e fundit për drejtuesit e vendit.

“Është thirrja ime e fundit që Kryeministri dhe Presidentja të rreshtohen me aleatët dhe ta mbyllim njëherë e përgjithmonë marrëveshjen me njohje reciproke me Serbinë. Mos e përjashtoni veten nga ky proces”, shtoi ai.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!