Haradinaj: Këtë vit mbyllim marrëveshjen finale me Serbinë

schedule10:19 - 17 Shkurt, 2019

schedule 10:19 - 17 Shkurt, 2019

Sot në Kosovë kremtohet 11-vjetori i shpalljes së pavarësisë. Aktivitetet solemne me rastin e kësaj feste kanë nisur me një mbledhje të kabinetit qeveritar dhe do të vijojnë me të tjera ceremoni gjatë ditës.

Në fjalimin e tij gjatë mbledhjes solemne të qeverisë në ditën e 11 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se viti 2019 do të jetë viti kur Kosova do t’i përmbyllë të gjitha çështjet e hapura, duke përmendur edhe marrëveshjen finale me Serbinë.

“Në 10 vjetorin e dytë që kemi hyrë, besoj që është një vit i konsolidimit tonë si shtet dhe i përmbylljes së të gjitha temave të mbetura të hapura në planin rajonal dhe ndërkombëtar, që nënkupton edhe marrëveshje për njohje obligative ligjore me Serbinë në kufijtë ekzistues, njëkohësisht edhe anëtarësim në NATO”.

Haradinaj u shpreh se rrugëtimi i shtetit të Kosovës në këto 11 vjet ka kaluar nëpër sfida, përgjegjësi e detyrime.

“Pavarësia jeton në ne. Secili prej nesh i ka rrugëtuar këto 11 vjet të Pavarësisë, çdo qytetar e ka rrëfimin e vet të rrugës së 11 vjetëve të shtetit.Edhe qeveria e vendit e ka rrëfimin e vet nga koha kur kemi marrë përgjegjësitë.Ka shumë vendime, ligje, pako ligjore, reformë. Ka gjithashtu vendime të mëdha si Ushtria, vendimet që lidhen me Trepçën dhe vendime të tjera ekonomike “.

Haradinaj theksoi ndër të tjera se Kosova nuk e ka luksin të bëjë hapa prapa, ndaj puna dhe përkushtimi i qeverisë dhe gjithë institucioneve duhet të jenë vetëm për të ardhmen e vendit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!