Kryeministri i Kosovës ka reaguar pas deklaratave të sotme të presidentit Thaçi për ndryshim kufijsh me Serbinë. Haradinaj theksoi se kreu i shtetit nuk ka mandat as për të biseduar për këtë temë.
Ramush Haradinaj, kryeministër i Kosovës, i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në një konferencë për shtyp, pikërisht rreth deklaratave të presidentit Thaçi.
Ky i fundit mbrojti idenë e ndryshimit të kufijve dhe tha se të gjithë ata që kërcënojnë me luftë në rast se ndryshohen kufijtë, e dinë shumë mirë se nuk do ketë luftë.
Ramush Haradinaj: “Nuk besoj që më është referuar mua. Unë mendoj që detyra e kryetarit të qeverisë dhe e jona është që të mbrojmë Kushtetutën, integritetin territorial, sovranitetin e vendit dhe po ashtu nuk është e drejtë e jona që të flasim për territorin pa mandat. Qoftë nga parlamenti apo institucione të tjera “.
Kryeministri Haradinaj theksoi se kreu i shtetit ka për detyrë të mbrojë territorin e vendit ashtu siç e parashikon dhe Kushtetuta./abcnews.al