Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se do të pranojë të pajtohet me Serbinë vetëm në këmbim të njohjes së pavarësisë. Shefi i qeverisë nënvizoi se shumë shpejt do të ndodhë anëtarësimi i vendit në Intepol dhe OKB.
Kryeministri Ramush Haradinaj gjatë një eventi në selinë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, bëri të ditur se Kosova do të pranojë pajtimin me Serbinë në këmbim të njohjes. Sipas tij, kjo nuk do të thotë se do harrohen krimet e bëra megjithatë pohoi se është një përgjigje për kërkesën e Beogradit se çfarë do të japë Prishtina në procesin e dialogut për normalizimin e mardhënieve.
Ramush Haradinaj: “Njohja. Çfarë mund të japë Kosova që të arrihet kjo marrëveshje, një pajtim, se tjetër nuk kemi çfarë japim. Pajtimi nuk është pak, do të thotë të kalosh mbi dhimbjen tonë, mbi të zhdukurit, mbi të vrarët, mbi dëmet, mbi dhunimet seksuales, me ekonomi të shkatërruar e të plaçkitur, e kur ne të pajtohemi, po japim shumë, më shumë se që dikush kish mujt me dhanë. Nuk po themi me harru, se nuk e bëjmë kurrë, por ne mund të pajtohemi ndonjëherë, për njohje. A është ky viti për këtë? Nuk mund të ngutem të them për këtë, por ne kemi kërkuar ndihmën e miqve tanë dhe po ju tregoj që Kosova kur qëndron pas Amerikës, e bënë për interesin e vet”.
Haradinaj tha se ky është viti kur Kosova duhet anëtarësohet në INTERPOL. Shefi i qeverisë së Prishtinës u shpreh i bindur se do të ketë vende që do të kërkojnë anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Ndërkohë, Haradinaj ka folur edhe për anëtarësimin e Kosovës në OKB, ku sipas tij, kjo çështje duhet të mbyllet shumë shpejt./abcnews.al