Haradinaj e Thaçi reagojnë për ndalimin e sportistëve kosovarë

schedule10:46 - 9 Maj, 2018

schedule 10:46 - 9 Maj, 2018

Presidenti dhe kryeministri i Kosovës kanë reaguar ashpër ndaj vendimit të ministrisë së brendshme serbe, për të mos lejuar ekipin përfaqësues të Kosovës në karate, që të hyjë në Serbi. Sportistët do të merrnin pjesë në kampionatin europian të karatesë, që zhvillohet në Novi Sad.

Ekipi përfaqësues i Kosovës në karate nuk është lejuar të hyjë në Serbi ku di të merrte pjesë në kampionatin europian të karatesë që zhvillohet në Novi Sad. Policia serbe në kufirin e Merdares u tha drejtuesve të Federatës së Karatesë së Kosovës se vendimi ishte marrë nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, e cila kishte dhënë urdhër që sportistët të mos lejoheshin të hynin në Serbi.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, reagoi duke thënë se veprimi i autoriteteve serbe për të mos i lejuar karateistët kosovarë të futen në Serbi për të marrë pjesë në Kampionatin Europian të Karatesë në Novi Sad është i papranueshëm dhe nuk kontribuon në normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve. Haradinaj akuzoi Serbinë se po vazhdon të bëjë politika nacionaliste të  konfliktit dhe refuzimit në vend të bashkëpunimin.

Edhe presidenti Hashim Thaçi me anë të një postimi në profilin e tij në Facebook ka reaguar për ngjarjen, duke akuzuar Serbinë se po përpiqet të politizojë sportin, i cili duhet t’i bashkojë popujt dhe jo të krijojë ndarje mes tyre. /abcnews.al