Haradinaj: Do të qeverisim në pesë komuna, në gjashtë të tjera do të jemi në koalicion

schedule21:52 - 14 Nëntor, 2021

schedule 21:52 - 14 Nëntor, 2021

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se do të qeverisin në pesë komuna, ndërsa në gjashtë të tjera do të jenë në koalicion.

Pas mbylljes së qendrave të votimit dhe fillimit të publikimit të rezultateve, Haradinaj u shpreh se AAK ka arsye për të fituar meqë është fituese në tri komuna.

“Aleanca për Ardhmërinë E Kosovës e ka rikonfirmuar besimin politik dhe fuqinë e vet politike bindshëm edhe në tri komuna të tjera, pra e kemi rikonfirmuar fuqinë politike në Gjakovë, në Rahovec dhe në Klinë, jemi në pritje të rezultatit përfundimtar në Junik, është një rezultat mjaft i ngushtë dhe njëkohësisht presim pra rezultatin në Istog, jemi në pritje të këtij rezultati final. Meqenëse në raundin e parë kishim fituar edhe në Suharekë dhe Deçan, me rikonfirmimin edhe të tri komunave të tjera Aleanca ka fituar bindshëm deri tani sigurt në pesë komuna dhe besim në pritje të rezultatit final edhe në Junik dhe Istog”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka shtuar se AAK do jetë partner në koalicione fituese në gjashtë komuna.

“Ne do të qeverisim tanimë në pesë komuna, presim rezultati ne dy tjerave dhe njëkohësisht do të bashkë qeverisim si partner në koalicione fituese diku edhe në gjashtë komuna të tjera, në nivel vendi”, ka shtuar Haradinaj.

Qendrat e votimit në 21 komunat të cilit zhvilluan raundin e dytë të zgjedhjeve janë mbyllur në orën 19:00. KQZ është në procesin e numërimit dhe publikimit të rezultateve preliminare të cilat aktualisht nxjerrin fituese AAK në Gjakovë, Rahovec dhe Klinë, ndërsa e lënë prapa në Junik.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!