Haradinaj ashpërson gjuhën ndaj ndërkombëtarëve

schedule16:40 - 16 Prill, 2019

schedule 16:40 - 16 Prill, 2019

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka përsëritur qëndrimin e tij kundër ndryshimit të kufijve. Me një ton të ashpërsuar, Haradinaj ka deklaruar se kush punon kundër interesave të Kosovës herët a vonë do të “skuqet”, qofshin vendas apo ndërkombëtarë.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka përsëritur qëndrimin e tij se nuk do të lejojë të ndryshohen kufijtë e Kosovës.

Në vendin e tij të lindjes, Haradinaj ka thënë se asnjëherë nuk ka bërë veprime kundër interesave të atdheut. Ai ka thënë se një ditë do të skuqen ata që po bëjnë veprime të padrejta kur Kosova po përballet me Serbinë.

Kush shkon në atë rrugë e ka gabim, qoftë vëlla i yni qoftë tjetër. Do të vijë dita kur shumica prej tyre do të skuqen për ato që po i bëjnë Kosovës. Janë gjëra të padrejta në kohën kur jemi duke u përballur me Serbinë, me axhendat e Vuçiçit dhe me planet e tij për ta ndarë Kosovën. Me planet e ndërkombëtarëve për të na ul kokën, goditjet nën brez të vëllezërve e motrave tona s’janë në rregull. Le të korrigjojnë veten ata që e dinë se si kemi ardhur deri këtu, se sa vështirë ka qenë e çfarë na pret”, ka thënë Haradinaj.

Ndërsa nga Kaçaniku kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka kërkuar që të lihen anash inatet dhe të jenë të gjithë bashkë në dialogun me Serbinë, ndërsa ka shtuar se nuk do të ketë ndarje të Kosovës.

“Unë besoj se do të bëhemi bashkërisht, pozitë dhe opozitë, duke i lënë inatet më vete dhe të orientohemi drejtpërdrejt e të përfundojmë çështjen përfundimtare me Serbinë. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, nuk ka asnjë dilemë”, theksoi ai.

Dialogu Kosovë-Serbi aktualisht është pezulluar nga Beogradi për shkak të  taksës 100% të vënë ndaj produkteve serbe nga qeveria e Kosovës. Ndërsa ka qëndrime të ndryshme të krerëve të shtetit të Kosovës rreth çështjes së korrigjimit eventual të kufijve, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!