TIRANË- Padurimi i besimtarëve myslimanë ishte i dukshëm. Nga qytete të ndryshme kishin ardhur herët para xhamisë së Namazgjasë në Tiranë për ceremoninë e përurimit.
Kryemyftiu i Tiranës Bilal Teqja, u prezantua si imam i xhamisë se Namazgjasë. Gjatë një prononcimi për ABC News, ai tha se kjo xhami është “plotësim i një panorame të bukur të harmonisë midis gjithë feve në Shqipëri”.
Ai tregoi edhe “formulën” se si do të menaxhohet ky organ kulti, që është më i madhi në Ballkan dhe mund të mbajë në të njëjtën kohë deri në dhjetë mijë besimtarë.
“Mendoj për të gjithë shqiptarët është plotësim i një panorame të bukur të harmonisë midis gjithë feve. Vetëm prisnin me padurim që të hapej xhamia dhe të funksiononte, kjo xhami e madhe. Edhe nevoja ka qenë gjithmonë se ne jemi falur jashtë. Unë jam myfti i Tiranës. Në shumë xhami të Tiranës falen njerëzit në rrugë dhje ka qenë nevojë jetike. Zoti i shpërbleftë ata të cilët mundësuan që të hapet kjo xhami dhe që hyri në funksion si çdo xhami tjetër. Xhamia…është krijuar një fondacion që do ta menaxhojë dhe kryetari i fondacionit jam unë, Myftiu i Tiranës, kjo lidhet me çdo gjë, me rregullat e statutit të KMSH së Shqipërisë, por dhe me çdo gjë që i nevojitet besimtarëve, sepse myftiu i Tiranës është ai, i cili menaxhon dhe kontrollon aktivitetin fetar dhe kultet në rrethin e Tiranës”, tha ai./ abcnews.al