Opozita e Bashkuar ka reaguar pas vendimit të Komisionit të Ligjeve, që miratoi draftin e ndryshimeve Kushtetutese të opozitës së re për hapjen e pjesshme të listave të deputetëve dhe heqjen e koalicioneve parazgjedhore.
Me anë të një deklarate zyrtare, Opozita e Bashkuar bën përgjegjës kryeministrin Rama për prishjen e dakordësisë së 5 qershorit që u arrit falë ndërmjetësimit të partnerëve të SHBA dhe BE.
Ky akt, sipas opozitës, minon procesin e integrimit europian të vendit dhe dëshmon përpara opinionit publik, se “Edi Rama për pushtetin e tij personal është në gjendje të hedh në erë të ardhmen europiane të Shqipërisë.”
Po ashtu, në reagim thuhet opozita nuk i bindet qeverisë, por vetëm qytetarëve.
Regaimi:
Tentativa për prishjen e Dakordësisë së 5 Qershorit, të arritur me mbështetjen dhe ndërmjetësimin e plotë të partnerëve strategjikë SHBA – BE, është përgjegjësi VETEM e Edi Ramës. Ky akt minon procesin e integrimit europian të vendit dhe dëshmon përpara opinionit publik, se Edi Rama për pushtetin e tij personal është në gjendje të hedh në erë të ardhmen europiane të Shqipërisë.
Çdo lojë e pisët për të ndryshuar në mënyrë të fshehtë dhe të njënashme Kushtetutën nga njeriu që është i tmerruar nga zgjedhjet dhe vullneti i qytetarëve, është dëshmi e fundit të tij të pashmangshëm. Ky akt rikonfirmon se Edi Rama është një mashtrues tinzar që për pushtetin e tij, shet interesat e vendit dhe të shqiptarëve, rrënon procesin e integrimit europian dhe izolon Shqipërinë, duke kërcënuar rëndë stabilitetin politik dhe shoqëror të vendit.
Kushtetutën dhe sistemin zgjedhor, e vendosin vetëm qytetarët me referendum popullor. Opozita e Bashkuar i bindet vetëm vendimeve që marrin qytetarët dhe jo interesave kriminale të pushtetit personal të Edi Ramës.
Opozita e Bashkuar është e vendosur ti shërbejë vetëm interesit të qytetarëve. Opozita e Bashkuar mbështet plotësisht qëndimet e qarta të Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Europian, Joseph Borrel dhe Komisionerit për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, dhe rikonfirmon se i qëndron plotësisht kodifikimit pa asnjë ndryshim të Dakordësisë së 5 Qershorit, si baza minimale për krijimin e një klime normale për zgjedhjet në Shqipëri. /abcnews.al/