Siç ka urdhëruar Ministria e Shëndetësisë, nga e hëna do të hapen klinikat dentare nën masa të reja sigurie. Mjekët stomatologë do të duhet të kenë aparate për matjen e temperaturës për pacientët dhe veshje të tjera të posaçme për t’u mbrojtur.
Kjo ka krijuar kosto tek ta, që do të reflektohet tek çmimi i shërbimeve dentare.
Të hënën klinikat dentare do të rinisin aktivitetin, pas dy muajsh të mbyllur, nën rregulla të reja dhe një protokolle të posaçëm sigurie për mjekët dentistë dhe pacientët.
Mjekja stomatologe, Stela Panteqi, tregoi për “ABC News” tregoi hapat që do të ndiqen në këtë gjendje të re, në klinikat dentare.
“Duhet të përpiqemi të vendosim orare paraprake në mënyrë që pacienti të mos presë apo të krijohet radhë. Do të pajiset me masat mbrojtëse. Vetëm një pacient do të jetë në pritje”, u shpreh ajo.
Dezinfektimi i ambienteve është një procedurë që ndiqet çdo herë në klinika dentare, por do të shtohen disa veshje të reja, që nuk janë vetëm për stafin e klinikës, por dhe pacientët.
“Pjesa që tashmë do të përdoret çdo ditë, është pajisja me kapuça njëpërdorimshme për mbrojtjen e flokëve, të kokës. Gjithashtu ka edhe një veshje që është specifike dhe përdoret kur dyshojmë që një pacient mund të ketë pasur kontakt me persona të prekur”, sqaroi ajo.
Këto veshje sigurohen nga vetë mjekët dhe janë një kosto e shtuar, jo të vogël. Me çmimet aktuale në treg, një maskë jo kirurgjikale blihet deri në 500 lekë. Aparati i matjes së temperaturës, që është e detyrueshme, është përafërsisht 1 mijë deri në 15 mijë. Ndërkohë veshja është nga koka tek këmbët.
“Veshjet janë njëpërdorimshme dhe duhet të ndërrohet te çdo pacient. Kostume të tilla këshillohen të përdoren në rastin e kontakteve të pacientëve me simptoma”, u shpreh ajo.
Kjo kosto e re do të reflektohet tek pacientët.
“Duhet të jemi koshient që është një kosto shtesë kjo që i shtohet shërbimeve dentare”, tha më tej ajo.
Mbajtja e distancës në rastin e mjekëve stomatolog nuk është e mundur të zbatohet, por mjekja Panteqi shprehet se pacientët nuk kanë asnjë arsye të ndihen të rrezikuar.
“Pacientët nuk duhet të ndihen të rrezikuar nga dentisti, pasi kanë qenë gjithmonë të përgatitur gjatë gjithë kohës me të tilla masa mbrojtëse”, sqaroi Panteqi.
Kujdesi i stomatologëve është gjithnjë i pranishëm, megjithatë në këtë situatë të re edhe sjellja e njerëzve duhet të jetë e kujdesshme.
“Apeli që i bëj pacientëve është vetëm sinqeritet. Në rast se kanë pasur kontakt me persona të dyshuar apo nga vende të zonave të kuqe, të tregohen të sinqertë dhe të na njoftojnë”, tha më tej Panteqi./
Çmimet e veshjeve të stomatologëve
-Maska: 400-500 lekë
-Një kuti me maska kirurgjikale 3 000 lekë
-Manteli: 300-500 lekë
-Një pako manteline të kokës: 700 lekë
-Kostumi i bardhë: 30-40 euro 3.500-4 000 lekë
-Veshjet e këmbëve: 500-700 lekë
-Aparat i matjes së temperaturës: 10,000-15 000 lekë /abcnews.al