Hapja e kazinoneve, Teliti: Rama u kthye në vendin e krimit, licensë për lojëra fati në secilën kullë që po ndërtohet

schedule16:30 - 10 Shtator, 2020

schedule 16:30 - 10 Shtator, 2020

Nga Juxhin Mustafaraj

Vendimi i qeverisë për të rihapur kazinotë për demokratët është rikthim në vendin e krimit. Shefi i Kabinetit të Partisë Demokratike, njëkohësisht ekspertin ekonomik, Dorian Teliti rihapja e kazioneve ka në thelb interesa të ngushtë klienteliste.

“Është një rikthim në skenën e krimit. Atë që kryeministri me shumë pompozitet dy vjet më parë e deklaronte nga foltorja e Kuvendit dhe nga shumë ambiente të tjera, madje edhe në median tuaj, se do të mbyllte lojërat e fatit në Shqipëri, se do të mbyllte kazinotë dhe bastet, tashmë ka bërë hapa mbrapa. Aty ku po ndërtohen me dhjetëra e qindra metra katrorë kulla, mesa duket po u jepet edhe një favor shtesë që të kenë akses edhe në biznesin e kazinove. Nuk ka asnjë arsyetim ekonomik, nuk ka asnjë arsyetim financiar sepse humbjet që vijnë në ekonominë shqiptare, në mirëqenien dhe në ekonominë e familjeve shqiptare nga hapja e kazinove mund të jenë shumë më të madhe se ato 3 lekë taksa që ato mund të sjellin në buxhet”, sqaron Teliti.

Teliti sqaron vendimin e marrë nga qeveria për rihapjen e kazinove, duke kujtuar paradoksin me një tjetër vendimarrje sipas të cilës licencën për hapjen e aktivitetit të lojërave të fatit do ta ketë vetëm një kompani.

“Qeveria thotë unë do të jap vetëm një licencë, atëherë përse ke bërë një hart kaq të madhe? Nuk ishte e nevojshme që të caktohej që e gjithë qendra e Tiranës, zona e bllokut, zona e Piramidës, zona e Parlamentit, të ishte harta e lejuar për aktivitetin e kazinove, ndërkohë që thonë se kanë ndërmend të hapin vetëm një kazino. Por mesa duket pas atij vendimi fshihen edhe shumë kërkesa të tjera nga miq dhe shokë të kryeministrit për të hapur kazino të tjera. Qeveria nuk mund të gënjejë qytetarët shqiptarë, opozitën jo e jo duke thënë se do të jap një licensë të vetme”, deklaron Teliti.

Për ekspertin e PD kjo vendimarrje nuk ka asnjë përfitim ekonomik në buxhetin e shtetit , ndërkohë që do të rëndojë ekonomikisht familjet shqiptare.

“Në këtë moment kemi një nivel të lartë evazioni, kemi një nivel shumë të lartë të parave të pista që qarkullojnë, ekonomia e familjeve shqiptare është dërrmuar fillimisht nga tërmeti dhe tani nga pandemia dhe gjëja më negative që mund të bëhej sot është rihapja e kazinove dhe lojërave të fatit. Në këtë mënyrë edhe ato pak para që mund t’i kenë ngelur në xhep qytetarëve shqiptarë rrezikojnë t’i shpenzojnë në veprimtari jo produktive”, thotë eksperti ekonomik i PD.

Teliti premton se Partia Demokratike do të hartojë një plan të detajuar në sektorin e lojërave të fatit dhe do të refuzojë të licensojë një biznes që dëmton ekonominë e familjeve shqiptare dhe shkakton plagë sociale./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!