Hapet sezoni turistik në Berat, Klosi: Lumenjtë s’janë kosha plehrash, të dënohet çdo paligjshmëri

schedule14:17 - 18 Qershor, 2021

schedule 14:17 - 18 Qershor, 2021

Është çelur sot zyrtarisht në Berat sezoni turistik.

Ministri i Turizmit, Blendi Klosi është shprehur se në këtë sezon turistik çdo qark duhet të jetë sistemuar nga pikëpamja vizive.

Ndërsa theksoi se ky qytet ka një kulturë të pasur për mirëmbajtjen e hapësirave publike, sërish ka ende shumë punë për të bërë, duke shtuar se është detyrë e çdo institucioni ligjzbatues dhe çdo inspektorati që të raportojë.

“Është shumë e rëndësishme që në këtë prag sezoni turistik, çdo qytet i qarkut të Beratit të jetë i pastër dhe i sistemuar nga pikëpamja vizive. Ne kemi një kulturë shumë të lartë përsa i përket pastërtisë, por kemi shumë nevojë që të menaxhojmë ndryshe edhe hapësirat tona publike në të gjithë qarkun. Është fakt që falë investimeve të qeverisë shqiptare të pesta landfillet e të pesta bashkive sot janë rinovuar dhe sot nuk kemi më rrezikun që fryrja apo kapërcimi i nivelit të lumit të transportojë prapë mbetjet anës lumenjve.

Është një investim shumë i madh, por që kërkon më shumë vëmendje, sidomos nga njësitë e vogla administrative që akoma vazhdojnë në mënyrë të paligjshme të kenë si vend depozitimi të mbetjeve shtretërit e lumenjve e përrenjve në të gjithë Shqipërinë ashtu si edhe në qarkun e Beratit. Është detyrë e çdo institucioni ligjzbatues dhe çdo inspektorati që këtë paligjshmëri ta dënojë dhe ta raportojë.

Shifrat e ulëta të pandemisë, menaxhimi i shkëlqyer që është bërë për vaksinimin e banorëve dhe rritja e kapaciteteve të strukturave hoteliere, na ka bërë një vend të hapur përsa i përket turizmit. Shifrat do të jenë prapë të konsiderueshme, qindra mijë vizitorë vendas dhe të huaj pritet t’i kemi përsëri këtë sezon turistik në Berat dhe detyra jonë është që ti paraqesim një kulturë tjetër, përsa i përket menaxhimit të hapësirave publike”, është shprehur ministri Klosi.

Nga ana tjetër kryetari i bashkisë Berat, Ervin Demo ka deklaruar se Berati këtë vit është më i pastër se çdo vit tjetër, por pavarësisht kësaj ka ende shumë punë për të bërë.

“Edhe pse Berati dallohet nga çdo qytet tjetër përsa i përket kulturës së pastërtisë, prapë çalojmë në pastrimin e hapësirave të përbashkëta dhe kjo nuk është vetëm përgjegjësi e institucioneve, por edhe e qytetarëve.

Qyteti është pjesë e shtëpisë, shtëpia e gjithsecilit është brenda kësaj shtëpie të madhe që i përket të gjithëve dhe të gjithë ne duhet të bëjmë ç’mos që qytetin ta mbajmë të pastër”, ka thënë kryebashkiaku i Beratit./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!