Hapet për të tretin vit tregu i shpendëve të gjalla në Baldushk

schedule13:10 - 23 Dhjetor, 2018

schedule 13:10 - 23 Dhjetor, 2018

Tregu i shpendëve të gjalla në kryeqytet është kthyer në një traditë për festat e fundvitit. Për të tretin vit, Bashkia e Tiranës ka ngritur në Baldushk një treg tërësisht të ri, i konceptuar në mënyrë që tregtarët të kenë mundësi të reklamojnë dhe të tregtojnë gjelat e detit të zonës, që njihet për rritjen e tyre.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se tregu ka ndihmuar në rritjen e të ardhurave të familjeve të zonës së Baldushkut. “Jam shumë entuziast sa herë që vjen kjo periudhë e vitit, jo vetëm për gëzimin që sjell, por edhe për faktin që sjell ekonomi për Tiranën. Prej 3 vitesh e kemi destinuar tregun e Baldushkut si një treg ku shiten gjelat e detit, gjelat më të mirë në Shqipëri, por mbi të gjitha, si një fabul e re se si ne ndihmojmë ekonominë lokale”, u shpreh ai.

Veliaj deklaroi se të ardhurat që sigurohem nga shitja e këtyre produkteve, shkojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së gjithë banorëve. “Ftesa ime për të gjithë qytetarët është që tani që tregu funksionon prej tre vitesh rresht, tani që tregu është bërë një histori suksesi për faktin që tregu sot siguron të ardhura për shumë familje, të cilat mbajnë fëmijët e tyre, kur dikush blen një gjel deti nga Baldushku nuk është duke blerë vetëm vaktin e Krishtlindjeve dhe të Vitit të Ri, është duke blerë dhe duke ndihmuar një familje me librat e shkollës, me shtëpinë, me rritjen e fëmijëve dhe e lë lekun brenda vendit”, nënvizoi Veliaj.

Kryebashkiaku u bëri thirrje qytetarëve të konsumojnë produkte të zonës, të cilat mandej kontribuojnë në rritjen e ekonomisë lokale. “Dua t’i ftoj të gjithë qytetarët të blejmë produkte lokale, gjelin në Baldushk, vajin në Ndroq, verën në Lundër, domaten në Shëngjergj, domaten e vonë dhe të gjitha produktet lokale, të cilat sot jo vetëm që janë më të mira e cilësore, por janë edhe më të lira”, tha Veliaj, ndërsa bëri të ditur se këtë vit priten që të sigurohen nga shitja e gjelit të detit të ardhura shumë herë më të mëdha se ato të tre viteve të mëparshme.

“Ne kemi llogaritur që vetëm në fundvit shiten rreth 4-5 milionë euro mall gjela deti vetëm nga kjo zonë. Nëse vazhdojmë me këtë ritëm, siç po bëjmë për gjelat e detit edhe për produktet e tjera, me siguri që do të kemi një Tiranë rurale që jeton falë shpenzimeve që bën Tirana urbane. Kështu që, për këtë fundvit, ftesa si gjithmonë është mbusheni tavolinën me të mirat që prodhon vendi ynë, fermat dhe të gjitha familjet që merren me punën e tokës dhe gjësë së gjallë në rrethinat e Tiranës”, tha Veliaj.

Gjelat e detit të Baldushkut janë kthyer në traditë për tavolinën e çdo qytetari të Tiranës në mbrëmjen e Krishtlindjeve dhe darkën e Vitit të Ri. Gjithashtu, Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit po vijon punën për garantimin e sigurisë ushqimore, si dhe për monitorimin e çmimeve, ku qytetarët mund të denoncojnë në numrin e gjelbër për çdo problematikë që konstatojnë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!