Hapet panairi i produkteve bio të Tiranës

schedule16:30 - 5 Qershor, 2019

schedule 16:30 - 5 Qershor, 2019

Produktet bio të kryeqytetit janë ekspozuar në një panair të posaçëm në sheshin “Skënderbej”. I pranishëm kryebashkiaku Veliaj, i cili tha se promovimi i produkteve është dëshmi e prioritetit tonë për zhvillimin e ekonomisë lokale.

“Shijo Produktet Lokale të Tiranës” ishte panairi i cili u zhvillua në sheshin “Skënderbej”, për të promovuar produktet bio e zonës.

Kryebashkiaku Erion Veliaj teksa vizitoi panairin tha se hapja e këtij panairi kushtuar produkteve bujqësore dhe blegtorale, konfirmon vëmendjen e Bashkisë së Tiranës për ekonominë lokale.

 

Erion Veliaj: “Sot tregu ka ardhur tek sheshi, edhe pse kemi disa tregje shumë të mira si Pazari i Ri apo tregjet e hapura nëpër lagje, por unë besoj se vetëm kur e sjellim në qendër të qytetit bujqësinë, do të thotë se e kemi seriozisht këtë punë, tregojmë që në sheshin tonë kryesor i kushtojmë tre ditë të gjithë atyre që jetojnë me djersë, ndershmëri, duke punuar tokën, duke punuar fermat e tyre, që sot është një realitet krejt tjetër në Tiranë”.

Veliaj u shpreh se për t’u ardhur në ndihmë fermerëve, Këshilli Bashkiak i Tiranës ka thyer monopolin e tregut të shumicës dhe fermerët do të mund të tregtojnë produktet e tyre në tregje me standarde.

Erion Veliaj: “Nuk mund të kemi një monopol ku çdo fermer i yni duhet të paguajë një taksë shumë të lartë që të hyjë te një privat, që e kishte nga ish-qeveria e kaluar. Kemi vendosur që bashkia, në anën tjetër të qytetit, në zonën e Farkës dhe të Lundrës, të hapim një treg agro-ushqimor të shumicës, për t’i thënë njerëzve që ke dy mundësi: tregun e shtetit dhe atë të privatit. Ndodh që në Bashkinë e Tiranës e bëjmë më mirë dhe më lirë të njëjtën punë që privati e bën shumë më shtrenjtë”.

Bashkia e Tiranës në këto katër vite ka pasur në fokus edhe përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve në zonat rurale, duke lehtësuar lëvizjen e automjeteve, por njëkohësisht duke afruar edhe më shumë banorët që tregtojnë produktet bujqësore të zonës me tregjet e Tiranës./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!