Hapet një tjetër shkollë e re në Tiranë, Manastirliu: Rritje page dhe shkurtim i kohës për punësimin e mësuesve

schedule11:58 - 7 Mars, 2024

schedule 11:58 - 7 Mars, 2024

Në Ditën e Mësuesit një tjetër shkollë e re hap dyert për nxënësit, shkolla 9-vjeçare “26 Nëntori” në zemër të Tiranës. Në ceremoninë e përurimit të shkollës së re, e rindërtuar plotësisht falë programit EU4School, të financuar nga BE, zbatuar nga UNDP, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, theksoi rëndësinë e investimeve në infrastrukturën arsimore dhe në zhvillimin profesional të mësuesve.

Ajo tha se shkolla “26 Nëntori” është një dëshmi e qartë e angazhimit të qeverisë për të ngritur cilësinë e arsimit në Shqipëri, duke përmendur edhe hapjen e 40 kantiereve të reja.

“Këtë vit ne do të hapim 40 kantiere të reja të shkollave në bashki të vendit, duke mundësuar që jo vetëm të kemi shkolla më të forta, më të mira, moderne por nga ana tjetër të kemi edhe struktura ku mësimi zhvillohet në një tjetër standard dhe cilësi, falë edhe investimeve që jemi duke bërë”, tha Manastirliu.

Ministrja shtoi se zhvillimi profesional i mësuesve dhe rritja e pagave janë prioritete kyçe për të nxitur një arsimim cilësor dhe për të mbështetur mësuesit në misionin e tyre të rëndësishëm.

“Nëse infrastruktura ka rëndësinë e saj, patjetër që zhvillimi profesional i mësuesve ka një rëndësi maksimale. Jemi në prag të hapjes së një Programi Kombëtar të Trajnimit dhe Zhvillimit Profesional të Mësuesve ku jemi duke ecur në disa dimensione.
E para, në trajnimin dhe edukimin e mësuesve duke filluar nga mësuesit e ciklit fillor, tek mësuesit e gjuhës, matematikës dhe shkencave.
4 mijë mësues do të trajnohen brenda këtij viti, e më tej në vitin që vjen, 15 mijë mësues do t’i nënshtrohen procesit të edukimit në vazhdim por edhe të trajnimeve specifike për metodat më efektive të mësimdhënies. Do të kemi një sistem të ri të karrierës për mësuesit, duke filluar edhe me një tjetër shkallëzim të kualifikimeve të mësuesve dhe duke i dhënë mundësinë atyre që në kuadër të kualifikimeve edhe të mbështeten financiarisht.”, deklaroi Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
Tek mbështetja financiare Ministrja u ndal te rritja historike e pagave për mësuesit duke e konsideruar domosdoshmëri për të rritur cilësinë e mësimdhënies por edhe për të rritur interesin e të rinjve për të zgjedhur mësuesinë.

“Rritja e pagave është një domosdoshmëri për mbështetjen e mësuesve, për të rritur cilësinë e mësimdhënies por edhe për të bërë një tjetër hap drejt rritjes së interesit të të rinjve për të zgjedhur mësuesinë. Portali “Mësues për Shqipërinë” ka arritur të garantojë transparencë maksimale dhe meritokraci në punësimin e mësuesve, por unë jam e bindur që çdonjëri prej jush që ka ardhur përmes portalit ka sugjerime, të cilat lidhen direkt me proceset e licensimit dhe hyrjes së portal. Për këtë arsye jemi duke u përpjekur për të shkurtuar kohën e pritjes për mësuesit, për t’u futur në punë dhe nëpërmjet proceseve elektronike të aplikimit për licencimin dhe për punësimin e mësuesve po reduktojmë minimumi 6 muaj pritje për mësuesit për t’u futur në sistemin arsimor dhe për të punuar në sistemin tonë arsimor.”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit nga shkolla e re “26 Nëntori” në Tiranë, e cila tani ka një infrastrukturë të avancuar që përfshin 20 klasa, 3 laboratorë të reja IT, Kimi, Fizikë, një palestër dhe dy fusha sportive.
Në ceremoninë e përurimit të shkollës “26 Nëntori” ishin të pranishëm dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, përfaqësues të Bashkimit Europian, mësues, nxënës dhe të ftuar të tjerë.

Për mësuesit e kësaj shkolle Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, kishte përgatitur dhe një dedikim të veçantë duke uruar të gjithë mësuesit, me lule si shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre të çmuar në edukimin e fëmijëve në këtë 7 Mars.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!