Zyrtarisht 22 qershori shënon rinisjen e fluturimeve nga dhe drejt aeroportit “Nënë Tereza”, megjithatë kjo vlen vetëm për rezidentët, për ata që udhëtojnë për arsye shëndetësore apo biznesi, ndërsa për kategoritë e qytetarëve të tjerë kufizimet do vazhdojnë.
Njoftimi për rinisjen e fluturimeve u bë më 20 qershor nga Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës, por këtë të hënë qytetarët që donin të udhëtonin ndeshën probleme sa i përket orareve të fluturimit.
“Kompania na njoftoi me orarin e kaluar, por tani mbetëm këtu për shkak të situatës”, u shpreh qytetarja.
Ndërsa një tjetër qytetare thekson se fluturimi i është anuluar tri herë.
“Më është anuluar fluturimi tri herë, duhet të kthehesha më 21 maj dhe mu anulua. Ky është anulimi i tretë. Tani kam prerë biletë të re”. u shpreh qytetarja.
Për të garantuar sigurinë e pasagjerëve që do të udhëtojnë, aeroporti i Rinasit duhet të respektojë një protokoll të përcaktuar. Për të hyrë në aeroport pasagjerët duhet të jenë të pajisur me maska, e më pas të kalojnë nga tuneli i dezinfektimit duke ruajtur edhe distancën prej 1.5 metër. Por siç shihet një gjë e tillë nuk ndodh.
Në protokoll parashikohet gjithashtu edhe plotësimi i një formulari nga ana e pasagjerëve për të mësuar historikun e tyre, nëse kanë ose jo të afërm të infektuar me COVID.
Por jashtë kamerës qytetarët shprehen se nuk u është vënë në dispozicion një i tillë.
Të gjithë qytetarët e tjerë që duan të udhëtojnë për qëllime turistike apo të tjera vetëm me pasaportë, do duhet të presin datën 1 korrik, nëse edhe deri atëherë nuk del një vendim i ri për udhëtimet./abcnews.al