Hapet Mema: Dija një skenar për Egbo, Vllaznia ekipi që më “josh”

schedule17:21 - 15 Prill, 2020

schedule 17:21 - 15 Prill, 2020

Ish-trajneri i Tiranës, Ardian Mema, ka folur për emisionin Fan Zone në Supersport, aty ku ka prekur shumë tema. Trajneri kryeqytetas foli për pasuesin e tij, Egbo, si dhe për disa oferta që ka marrë nga jashtë Shqipërisë në janar. Gjithashtu, Mema tregoi se ka dëshirë të drejtojë ekipin e Vllaznisë, duke treguar dhe arsyen.

“Kontratat e futbollistëve? Mendoj që shtyrja të jetë një rregull për të gjithë lojtarët. Kjo do i shkonte për shtat situatës që po kalojmë. Çdo futbollist duhet të zbatojë atë që i kërkohet. Unë si bojaxhi? Fillimisht fillova të rregulloja dëmet e tërmeteve, më pas lyerjen dhe kështu me radhë.

Tirana ka bërë një sezon fantastik, sidomos në ndeshjet e funidt. Merita i takon trajnerit Egbo dhe lojtarëve. Tirana realisht është me një dorë te titulli. Asgjë nuk ka përfunduar pasi matematikisht ende nuk janë shpallur kampionë. Kjo ndalesë i prishi punë, por besoj ka shkëputjen e nevojshme dhe si njeri i familjes dua që ta marrim titullin.  Futbollit asnjëherë nuk i dihet pasi parashikimet jo gjithmonë janë të sakta.

Që ta ndjesh veten pjesë të suksesit duhet të jesh edhe vetë aty. Unë e dua me zemër Tiranën dhe kjo më bën krenar që seleksionova lojtarët. Më vjen keq që nuk e nisa dhe ta përfundoj deri në fund, edhe unë kam atë pjesën time. Unë gjithmonë një sy dhe një vesh do e kem te ai ekip, besoj shumë te Tirana.

Do të festoja nëse Tirana fiton titullin, pse jo. Në stadium do jem. Dua të shoh Tiranën pas shumë viteve të festojë. Kam dëshirë shumë të shkoj të punoj jashtë shtetit. Kam pasur oferta në janar nga Letonia dhe e kam refuzuar sepse nuk ndihesha mirë. Kam një shpresë që do të shkoj jashtë, pasi është edhe një kontratë e mirë.

Nëse Egbo nuk do fitonte ato ndeshje para janarit, atëherë do të largohej, unë e dija skenarin. Por fitoret e ndihmuan atë që të vazhdojë. Kjo Tiranë nuk duhet të lëvizë asgjë.

Që kur ka filluar Koronavirusi, futbollistët e kishin shumë të lehtë të bënin të paktën një orë vrap. Një muskulim të përgjithshëm mund ta bësh lehtësisht.

Do ta kisha shumë qejf të shkoja te Vllaznia, pasi ka luajtur babai im dhe është një qytet me shumë sportdashës”, u shpreh Mema.