“Pema e Miqësisë” është kopshti më i ri në Tiranë.
Ai ndodhet pranë sheshit “Shqiponja” një zonë që sipas kryebashkiakut Erion Veliaj e kishte të nevojshëm hapjen e një kopshti të ri.
“Plani që kemi me drejtorinë e kopshteve është të vazhdojmë përgjatë Unazës, siç jemi këtu te sheshi ‘Shqiponja’, të vazhdojmë përgjatë Astirit, pastaj te “Liqeni i Thatë” në lagjën 13, ku kemi institucionet e tjera, si një kopsht të integruar me shkollë te pjesa e Kopshtit Botanik, dhe një kopsht të integruar me shkollë te Parku Olimpik. Prapë vazhdojmë në Unazë, deri në Sauk, aty ku kemi edhe dy shkolla të tjera, një te ish Spitali i Arabit dhe tjetra nga ana tjetër e rrugës, aty ku është Akademia e Policisë dhe kemi një terren të madh”, tha Veliaj.
Qyteti duhet të ecë përpara tha kryetari i bashkisë dhe apeloi për të mos bllokuar projektet për kryeqytetin. Veliaj pati një koment dhe për shërbimet që premtohet të ofrohen falas në prag zgjedhjesh.
“Është shumë kollaj të thuash falas gjithçka. Por sot për kopshtet ne subvencionojmë 7 me 1: pra, për çdo 1 lekë që paguan një familje, 7 i paguan bashkia. Kjo është mënyrë e mirë për të gjetur një balancë edhe për ata që janë nevojtarë, por edhe për të treguar fytyrën solidare të shtetit. Raporti 7 me 1 është një raport i shëndetshëm. Duke paguar diçka, edhe familja ndihet sikur kontribuon dhe kjo ka një vlerë se gjërat ndonjëherë, kur janë falas, duket sikur nuk kanë vlerë. Kur raporti është 7 me 1 do të thotë se dora e shtetit është ajo që bën pjesën më të madhe të pagesës dhe familjarët ndihmohen në maksimumin e mundshëm që fëmijët të kenë një mjedis të sigurt, me mësuese që i zhdërvjelltësojnë dhe ushqim cilësor”, shtoi kryebashkiaku.
Kësaj zone të Tiranës pak kohë më parë iu shtua dhe shkolla e re “Andrea Stefani”. Një mundësi kjo që sipas kryetarit të bashkisë fëmijët të shkojnë në klasë të parë në një ndërtesë ngjitur me kopshtin.