Hapet Kolegji i Europës, Von der Leyen: Në Tiranë do përgatiten të rinjtë europiane të së ardhmes

schedule17:49 - 23 Tetor, 2024

schedule 17:49 - 23 Tetor, 2024

Kolegji i Europës në Tiranë hap dyert për 32 studente nga vendi dhe rajoni në një moment  të rëndësishëm për Shqipërinë, pak dite pas çeljes së bisedimeve me Bashkimin Europian për grupin e parë të kapitujve.

As për kryeministrin Edi Rama dhe as për Presidenten e Komisionit Europian Ursula Von Der Leyen të pranishëm në ceremoni  nuk është rastësi.

“Është shenjë e fortë që yjet e Shqipërisë janë në vijë të drejtë dhe rruga drejt anëtarësimi është e pandalshme”, tha Rama.
“Negociatat po hapin një faqe të re dhe ne së bashku hapëm grup-kapitullin e çështjeve themelore dhe me Edin e diskutuam që në qoftë se bëjmë punë të mirë, të gjithë grup-kapitujt do të hapen deri në fund të vitit të ardhshëm”, tha Von der Leyen.

Bashkimi Europian është e vetmja rrugë e Shqipërisë pavarësisht erërave te cilat fryjnë në drejtim të kundërt që thotë Presidentja e Komisionit Europian.

Sipas kryeministrit arsyeja është e fortë.

“Unë besoj se nuk ka asnjë rrugë tjetër ku mund të jeni të sigurt për veten familjen dhe fëmijët, ku ata do të kenë lirinë individuale, sundimin e ligjit dhe demokracinë funksionale.
Ndonjëherë demokracia ngjan sikur nuk funksionon mire.  Çdo gjë që ju zemëron apo ju bën të zhgënjyer duhet t’u shërbejë për të luftuar për të pasur një BE më të mirë”, tha Rama.

“Ka erëra që fryn në drejtim të kundërt, Rusia ka hyrë në Ukrainë për faktin se Ukraina donte të bëhej pjesë e BE. Po punojnë për të destabilizuar vendet që duan të hyjnë në BE, sjellin në vëmendjen konfliktet e vjetra. Ky është realiteti, me këtë duhet të përballet brezi juaj. Unë besoj që duhet të jemi edhe më aktiv se ç’kemi qenë, nuk duhet të rrimë duarkryq”, shtoi von der Leyen.

Kolegji i Europës në Tiranë hapi dyert dy vjet pas hedhjes së idesë në Samitin e BE.

“Ursula, dua të të garantoj se ky është një investim i mirë dhe për miqtë shkojmë përtej së mundurës dhe madje  mund edhe të vrasim”, shtoi Rama.

Këtë vit në këtë kolegj  studentët  ndjekin  programin master për  transformimin dhe integrimin europian me fokus Ballkanin Perëndimor.

Kampusi në Tiranë është dega e tretë e Kolegjit te Europës pas Belgjikës dhe Polonisë  dhe  i pari jashtë vendeve të Bashkimit Europian.

/abcnews.al