Hapen kutitë e Himarës, por nuk rinumërohen votat, verifikohet dokumentacioni i votuesve

schedule15:12 - 22 Gusht, 2024

schedule 15:12 - 22 Gusht, 2024

Edhe pse socialistët e morën Himarën me gati 1500 vota më shumë, demokratët e aleatët e tyre nuk dorëzohen e shpresojnë të gjejnë parregullsi, aq sa të përsëritet votimi.

Demokratët së bashku me Vangjel Dulen, trokitën në KQZ me një ankesë në fillim të këtij muaji, për ta shpallur të pavlefshëm rezultatin e 4 gushtit të zgjedhjeve në Himarë, ku fitoi kandidati i PS-së, Vangjel Tavo.

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve, në shqyrtimin e të mërkurës dhe së enjtes së ankesës, mori vendim në favor të kërkuesve, për të hapur kutitë e votimit, jo për të lexuar votat edhe një herë, por për të nxjerr prej aty materialet zgjedhore, ku demokratët mendojnë se do të gjejnë parregullsi.

“Duke  qenë se 2 anëtar te KAS shfrytëzuan të drejtën që buron nga neni 21 fraksion 2 si dhe praktika e konsoliduar ne rastet e mëparshme, vendoset pa debat te hapen kutitë e materialeve sipas kërkesës së ankuesit”, tha anëtari i KAS Koli Bele.

Me hapjen e kutive, demokratët, do të verifikojnë të gjithë regjistrat e posaçëm të 36 qendrave të votimit në Himarë, që sipas tyre janë evidentuar të paktën 560 zgjedhës qe nuk janë lejuar të votojnë pasi karta ID-t e tyre rezultonte me datë të skaduar.

Gjithashtu, kopje të të gjitha proces-verbaleve apo dokumenteve të tjerë të votimit të Himarës, ku mund të jetë shënuar manualisht identifikimi i mbi 260 votuesve të cilëve, që pajisja PEI nuk i njihte, edhe pse kartat e tyre ID ishin rinovuar pak ditë përpara datës 4 Gusht 2024.

Opozita nxori dhe një pretendime tjetër, se në zgjedhjet e Himarës pati dy standarde, disa votuan edhe pse me kartë identiteti të skaduar. Por faktet kërkojnë ti gjejnë në kuti.

Faktet që do të dalin nga kutitë e votimit do të lexohen të hënën, pasi opozitarët do të shqyrtojnë çdo të dhënë nga materialet zgjedhore, për të dal në përfundimin nëse fitorja e Tavos është e pavlefshme dhe do të përsëriten zgjedhjet në këtë bashki, sië kërkon opozita, apo fituesi do të marr zyrtarisht detyrën me betimin dhe do e drejtojë bashkinë për 3 vitet e ardhshme.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!