Rreth 500 familje të pastreha do të kenë mundësi që të përfitojnë kredi të buta për blerjen e një banese. Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak, kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi se programi për kreditë e buta ka qenë programi social më ambicioz që ka aplikuar ndonjëherë Bashkia e Tiranës duke dhënë një model realist dhe efikas për zgjidhjen e problemit të strehimit në qytetin e Tiranës. Veliaj theksoi se përmes kësaj skeme, Bashkia e Tiranës u jep zgjidhje problemit të strehimit për çiftet e reja dhe njëkohësisht krijon mundësi reale për timulimin e sektorit bankar. “Ndonjëherë na duhet që të marrim të marrim vendime të vështira, por kemi marrë vendime të drejta dhe më vjen mirë që historia provoi që kishim të drejtë. Pa dyshim që programi për kreditë e buta ka qenë programi social më ambicioz dhe eksperimenti më I guximshëm që kemi bërë në këtë fushë, që ka aplikuar ndonjëherë Bashkia e Tiranës. Ky program na ka dhënë edhe një model realist dhe efikas për zgjidhjen e problemit të strehimit sidomos për çiftet e reja. E dini fare mirë që ne shkojmë nga qendrat e emergjencës, tek banesat sociale, tek bonusi i qirasë dhe tek kreditë e buta si paketa të ndryshme që targetojnë shtresa të ndryshme të popullsisë sipas kapacitetit financiar që ata kanë”, deklaroi Veliaj.
Duke vënë në dispozicion një fond minimal nga buxheti I Bashkisë, kryebashkiaku Veliaj sqaroi se krijohet një mundësi reale për qindra familje për të blerë një banesë. “Nga viti që kaloi, kur programi u hap për herë të parë u shpallën gjithsej 999 përfitues, Për garsionieret 370 aplikime, për 1+1, 444 aplikime, për dy + një 181 aplikime dhe për 3+ 1 kanë qenë 4 aplikime sepse kanë qenë familje me një numër të madh anëtarësh dhe fëmijë të vegjël në këto familje”, tha ai.
Në total do jenë në dispozicion këtë fazë rreth 500 kredi me interesa të ulëta dhe që do mund të përfitohen nga familjet e reja dhe që plotësojnë kriteret e përcaktuara.
Përfitues potencial në programin “Subvencionimi i interesave të kredisë për familjet e reja”, do të jenë familjet e reja që:
Përbëhen nga çifti i ri me moshë totale deri në 70 vjeç.
Përbëhen nga familje të reja që kanë në ngarkim persona me aftësi të kufizuar apo persona në pension.
Nuk kanë në pronësi një banesë.
Kanë të ardhura sipas limitit të përcaktuar në këtë program.
Nuk janë dhe nuk kanë qenë përfitues të programeve të tilla të ngjashme më parë.
Duke u nisur nga problematikat e hasura gjatë thirrjes së parë është parë e arsyeshme të ndryshojnë disa nga përbërësit e skemës së subvencionimit të interesave të kredisë dhe kufijtë minimal dhe maksimal të nivelit të të ardhurave që duhet të plotësojnë aplikuesit.
Së pari ndryshon mosha e përfituesve pasi është marrë në konsideratë fakti që disa përfitues për shkak të moshës së madhe janë penguar në klasifikimin për kredi. Tashmë mosha e çiftit duhet të jetë me moshë totale deri në 70 vjeç.
Së dyti afati subvencionimit të kredisë do të rritet nga 15 në 20 vjeç, duke bërë që kësti mujor për një familje përfituese të jetë më i ulët dhe më i përballueshëm.
Së treti, ndryshojnë edhe të ardhurat e përkohshme./abcnews.al