Atmosfera në kampin e Interit pas fitores në derbi është fantastike, por Antonio Conte ka një shqetësim. Porta mbetet problem dhe rikuperimi i Samir Handanovic do të zgjasë edhe ca. Kapiteni ka dëmtuar gishtin e vogël të dorës dhe mungoi në dy sfidat e fundit në kampionat.
Daniele Padelli nuk bind askënd te zikaltrit dhe zgjidhja ka ardhur nga merkato. Corriere dello Sport raporton se Interi ka kërkuar shërbimet e Emiliano Vivianos. Portieri italian është pa skuadër prej shtatorit të vitit të kaluar, kur i dha fund aventurës së pafat me Sportingun e Lisbonës.
34-vjeçari, i cili është aktivizuar në 6 ndeshje me kombëtaresn e Italisë, ka kryer vizitat mjekësore gjatë ditës së sotme dhe do të stërvitet me ekipin e Contes. Në momentin që do të qartësohet momenti i rikthimit të Handanovic, kryesuesit e Serie A do të firmosin një kontratë me portierin nga Firence. /abcnews.al