GAZA– Britania e Madhe, Australia, Kanadaja dhe Portugalia të dielën njohën një shtet palestinez pas gati dy vjetësh luftë në Gaza, ndërsa Franca, Belgjika dhe disa shtete të tjera pritet ta marrin të njëjtin vendim gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të hënën.
Po çfarë do të thotë kjo lëvizje e shteteve në fjalë për fatin e luftës në Gaza dhe për trajektoren që do marrë konflikti në Lindjen e Mesme.
Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Ledion Krisafi, ishte i ftuar në “War Report” në ABC News dhe foli për konfliktin. Për Krisafin, qëllimi kryesor i Izraelit është që të mos ketë asnjë lloj kërcënimi nga Gaza.
Ai theksoi se Hamas të vetmen kartë që luan në këtë konflikt janë pengjet e luftës.
“Nuk duhet të këtë asnjë lloj kërcënimi nga Gaza. Qëllimi që mos të ketë asnjë kërcënim nga ana e Gazës dhe ky është i vetmi plan, që është në tavolinën e tyre. Izraeli kërkon kolonizimin e Gazës. Autoriteti palestinez e ka pranuar prezencën e Izraelit. Hamas nuk ka asnjë interes të lëshojë pengjet, sepse nëse i lëshon pengjet nuk ka çfarë të lëshojë më, E vetmja kartë që ka Hamas janë pengjet”, tha ai.
Për studiuesin e marrëdhënieve ndërkombëtare Sokol Kondin, Izraeli ka detyruar dhe aleatët e ngushtë në Evropës, që të hartojnë paketë sanksionesh.
“BE është parë në bllok për t’i vendosur sanksione Izraelit mbi atë çfarë po bën. Franca mendoj se do t’i bashkohet vendeve të tjera për njohjen e shtetit Palestinez. Hamas ka një aftësi rigjeneruese në fushëbetejë”, tha ai.


