Pas paralajmërimit të fundit të presidentit amerikan Donald Trump, që i kërkoi Hamasit të pranojë termat e propozimit amerikan dhe të arrihet një armëpushim, grupi palestinez ka bërë një deklaratë të re.
Në një komunikatë të cituar nga mediat izraelite, Hamas ka shprehur gatishmërinë për t’u ulur menjëherë në tryezën e negociatave. Grupi terrorist thotë se është i gatshëm të diskutojë lirimin e të gjithë pengjeve, në këmbim të një deklarate të qartë për përfundimin e luftës, tërheqjes totale nga Rripi i Gazës dhe krijimit të një komiteti të pavarur palestinez që do të administrojë zonën.
“Hamas mirëpret çdo nismë që kontribuon në përpjekjet për t’i dhënë fund agresionit ndaj popullit tonë”, thuhet në deklaratën e shpërndarë nga The Times of Israel.
Grupi shton se është në kontakt të vazhdueshëm me ndërmjetësuesit për të shndërruar këto ide në një marrëveshje gjithëpërfshirëse që, sipas tyre, duhet të përmbushë kërkesat e Hamasit.

