Tirana zhvilloi një sezon shumë të mirë dhe ia doli të rikthente titullin kampion në pjesën bardheblu të kryeqytetit pas 11 viteve. Fitorja e Vllaznisë kundër Kukësit shpalli Tiranën kampione dy javë përpara mbylljes së kampionatit dhe presidenti Refik Halili nuk e fshehu lumturinë e tij në prononcimin e dhënë për Supersport.
“Kënaqësia është shumë e madhe dhe kjo është një punë e bërë prej shumë kohësh. Nga punëtori i fushës te presidenti, kanë dhënë kontributin e tyre. Titullin kampion ia dedikojmë të gjithë skuadrës. Kam dhënë një kontribut shumë të madh në këtë ekip. Kemi shumë gjëra për të thënë sesi arritëm deri këtu, kemi pasur një menaxhim më të mirë në këtë sezon.
I bëjmë thirrje kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës, që të na lejojë që të festojmë titullin në stadium kundrejt rregullave. Po shohim që po bëhen koncerte dhe organizime të tjera. Nëse nuk do të na e dëgjojnë kërkesën, atëherë do ta bëjmë një festë simbolike me 2.000 veta në një lokal të Tiranës, që do e bëjmë publike në këto kohë.
Trajneri? Egbo është trajneri i parë i huaj që arrin të marrë një titull kampion te Tirana. Hetimi ndaj Bylisit? Ne kemi luajtur me formacion të tretë aty. Fola edhe me skuadrën, mund të ketë ndodhur ajo që: ‘Hajde se nuk na duhet kjo ndeshje’.
Ky nuk është justifikim. Ka nga ata që thonë se formacionin e bën presidenti. Unë po ju them vetëm kaq: djali im në 4-5 muajt e fundit është aktivizuar shumë rrallë. Edhe gruaja më thotë: çdo prind punon për të mirën e fëmijës së tij, por ti je nga të rrallët që nuk e kënaq“, deklaron kreu i klubit të Tiranës. /abcnews.al