Halili: Janë bërë masakra edhe më të mëdha, dihet kush shet ndeshje!

schedule22:52 - 2 Korrik, 2020

schedule 22:52 - 2 Korrik, 2020

Humbja e Tiranës në Ballsh (2-1) kundër Bylis në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë, bëri bujë të madhe, kjo prej lojës inekzistente të bardhebluve në pjesën e dytë. Refik Halili tregoi versionin e tij në emisionin “Pressing” në ABC News, aty ku presidenti i Tiranës tha këto fjalë:

“Nuk mund të rrija pa folur për klubin tonë dhe gjithë mundin e djersën që ka dhënë klubi më i madh në Shqipëri, edhe gjatë këtij sezoni. Ky klub ka kaq kohë që bën ndeshje të shkëlqyera, vazhdon investon pafund Refik Halili, edhe FSHF na ka dhënë ndihmën e tyre në drejtim të licencimeve.

Ndeshja? Ndoshta mund të kemi filmime, ku unë kam ulëritur nga tribuna, si asnjëherë tjetër, duke thirrur lojtarët që të lozin dhe të mobilizohen, pasi ndeshja po na rrëshqiste. Nuk dua të justifikohem, le të bëjnë verifikime, organet janë të hapura.

Koeficientet? Le t’i shohin ku kanë shkuar. Pse nuk thonë bravo portieri Lika që bëri kaq pritje dhe priti penalltinë? Do të shikoni që te skuadra jonë është transformuar komplet formacioni. Kishte futbollistë Si Batha dhe Doka, donin që të mos merrnin kartonë në Korçë, prej dëshirës së madhe për të luajtur me Kukësin dhe Partizanin.

 

Egbo do të jetë trajner i vazhdueshëm te Tirana. Formacioni u ndërrua totalisht. Sot kishte futbollistë që kanë luajtur pak. Kishte një vapë të tmerrshme, është ndërprerë katër herë ndeshja. Do e mbroj klubin tim. Mos harroni që kemi lozur në Korçë, jemi kthyer në orën 2:30 të natën, udhëtuam në Ballsh dhe luajtëm sot në Ballsh.

Ngarkesa e kampionatit ka qenë kaq e madhe dhe nuk kemi çeduar. Ju kemi treguar të gjithëve se kemi dy skuadra. Nuk ka shans të futet një dollar te Tirana, nga drejtuesit deri te punëtori i fundit. Unë jam i gatshëm t’i shkoj deri në fund kësaj çështje.

Nuk kam dëshirë të përmend futbollistë. Zakonisht në klubin tonë është ruajtur 11-shja, e kanë merituar. Sot luajtën të gjithë, edhe lojtari i 21-të. Ngoo kishte një arsye familjare, katër lojtarë të tjerë i ruajtëm për Kukësin.

Nuk po them që këto që luajtën sot nuk janë lojtarë të mirë. Formacioni jo i plotë, ndërrimet pak të shpejta, që u bënë për të pushuar, dhe vapa ndikuan. Ne jetojmë në Shqipëri, këtu çfarë nuk ndodh, si në gjithë botën.

Këtu del nusja në rrugë dhe i fusin 500 të shara. Unë personalisht kam që në vitin 2004 te Tirana. Nuk ka burrë në tokë dhe lart në qiell, që të më akuzojë se kam marrë një dollar te Tirana. Nuk ka gjë që nuk dini ju, i dini mirë kush përfshihet, kush toleron, kush paguan arbitra, kush shet dhe blen ndeshje. Të gjithë specialistët e dinë.

 

Agustin Kola (m) dhe Refik Halili, duke ndjekur një ndeshje të bardhebluve

Nuk është se jam i vetmi që nuk merrem me poshtërsi, kam lënë 16 milion euro për Tiranën. Ne do të kualifikohemi, do shkojmë në finale, do marrim titullin dhe do shkojmë përpara. Nuk më kanë detyruar, kam shpenzuar 16 milion euro me qejf dhe që Tirana të bëhet një klub evropian.

Në gjithë investimin që kam bërë, kam shitur pronat e mia. Mos e merrni si shaka. Po unë që nuk mora asnjë lek nga Kupat e Evropës. Kam 4 milion euro prona që kam shitur, i kam të deklaruara. E kam mbajtur Tiranën me gjak.

Nuk u shemb bota se humbën 2-1, të tjerët kanë bërë masakra më të tmerrshme dhe ecin me kollare dhe valixhe pa lekë. Muça bëri liderin të thoshte se Egbo do të vazhdojë te Tirana, nuk i takonte Gentit, por mua ta bëja diçka të tillë. Kurrë nuk i kam thënë një futbollisti të flasë për mua, kurrë nuk ka folur kush për mua.

Ishte një diell i madh sot, një fushë e vështirë dhe mos e quani Ballshin të mbaruar. Luajtën futbollistë që kanë luajtur pak minuta në këtë sezon. Na mbërtheu e keqja. Kam ulëritur disa herë nga tribuna, nuk e kam bërë kurrë prej vitit 2004. U shpërfytyrova me të drejtë.

Nuk kam kohë dhe nuk dua ta fus skuadrën në trysni. Dua të merrem me ndeshjet e mia. Nuk mund të na dëmtojë kush. Drejtues të futbollit, kanë telefonuar drejtorin tim, duke i thënë që kemi dyshime dhe na tregoni edhe neve. Ne do të bëhemi vëzhgues se çfarë bëjnë të tjerët? Sot pësuam humbjen e dytë pas asaj me Teutën. Ja vë fajin formacionit, ishte pothuajse 80% formacioni i dytë”, thekson Halili. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!