“Kemi tifozërinë më të madhe në Shqipëri. Duhet të bëjmë më të mirën për të shkuar drejt trofeve. Është folur shumë për mua që jam njeri që kam larguar shumë trajnerë, rezultatet të detyrojnë që të largosh trajnerë. Te klubi ynë ka ardhur momenti që të mbajnë përgjegjësi edhe futbollistët”. Këta janë fjalët e Refik Halilit, presidentit të Tiranës.
Ka vendosur të paralajmërojë. Bardheblutë duan trofe, sidomos tani për 100 vjetor. “Nëse nuk do të ketë rezultate, do të ketë largime lojtarësh. Të përqendrohen, që mos të ndodhë. Po kalojmë një krizë financiare, e gjithë Europa dhe ne këtu. Kanë një fat të madh që janë në klubin më të madh. Duhet të bëjnë kujdes”, thotë qartazi kreu i klubit bardheblu.
PRESIONI I MADH DHE TRAJNERËT – Të drejtosh Tiranën është një mision i vështirë. Halili e do këtë, ndërkohë që zërat për ndërhyrje ai i hedh poshtë. “Ata që kanë luajtur te Tirana e dinë shumë mirë që ka presion të vazhdueshëm. Ka trajnerë që nuk e kanë mbajtur presionin, kur ka ndërhyrje nga grupe të ndryshme.
Trajneri duhet të jetë i fortë dhe të largohet nga presioni. Nuk duhet t’i marrë parasysh fjalët e njerëzve. Kam dëgjuar që thonë e bën formacionin presidenti, por mund t’i pyesni të gjithë, që jam i vetmi president që nuk kam ndërhyrë kurrë. Unë thjesht e pyes si është formacioni dhe mund të jap një mendim, por nuk mund të ndërhyj që të prish skuadrën time dhe të bëj vendosje lojtarësh”, shton Halili.
Para ndeshjes me Partizanin ka pasur një bisedë me Egbo, të cilin presidenti i bardhebluve e ka zbuluar gjatë emisionin “Zona Gol” në Supersport. “Kur fola me Egbonë, i kam bërë 2-3 pyetje dhe dëshira ime ishte që ata të shkonin në pozicionet e tyre. Për mua është e mirë është që futbollisti të luajë në pozicionin e tij dhe nuk duhen bërë eksperimente. Kur s’ke lojtarë, mund të bësh ndonjë eksperiment”, deklaron kreu i klubit bardheblu.
NDRYSHIMET E POZICIONEVE – Halilit nuk i ka pëlqyer kur ka parë lojtarë të ndryshëm të ndryshojnë pozicion. “Klubi i Tiranës nuk është mësimore. Hoxhallari ka ndryshuar disa herë pozicionin. Unë them që ai duhet të luaj në pozicionin e vet. Shumë futbollistë të mëdhenj në botë nuk i ndryshojnë pozicionet e tyre”, thotë Halili, i cili vë në dukje edhe faktin që në derbi lojtarët luajtën në pozicionet e tyre.
“Te kjo ndeshje them se lojtarët luajtën në pozicionet e tyre, u bashkuan të gjithë bashkë dhe dhanë maksimumin. E njoh shumë mirë futbollin, e ndjek skuadrën hap pas hapi. Shumë herë ka gabuar skuadra, ndoshta nuk janë impenjuar maksimalisht. Por e them me shumë bindje, ndryshimi i pozicioneve të lojtarëve na ka penalizuar. Kur filloi kampionati, deri te ndeshja e 4-t, kishim 10 pikë”.
TË RINJTË – “Po ta bëja unë formacionin, do kërkoja që djali im të luante çdo ndeshje. Unë dua që klubi të fitojë, nuk më intereson kush luan. Kam hallin e investimeve. Do pak dorë të fortë klubi. Trajneri duhet të aktivizojë futbollistët e rinj. Duhet patjetër që në formacion të kemi 4-5 lojtarë të rinj, nën 21-vjeç. Kemi lojtarë të rinj që mund ta përballojnë kampionatin. Nuk është presion.
Muçi meriton të jetë pjesë e skuadrës. Kemi Celhakën, që e shikoni vetë. Unë kam oferta për Celhakën dhe Muçin. Trajnerët thonë prit se nuk i ka ardhur ora akoma. Klubin nuk e ka vetëm Halili. Klubi ka një staf dhe akademi shumë të organizuar. Futbollistët e Akademisë duhet patjetër të aktivizohen. Duhet të luajnë se s’bën, asnjë e keqe nuk do t’i vijë klubit tonë”, ka përfunduar presidenti Halili. /abcnews.al