Haley nis fushatën presidenciale: Politikanët mbi 75 vjeç duhet të bëjnë teste për aftësitë mendore

schedule08:43 - 16 Shkurt, 2023

schedule 08:43 - 16 Shkurt, 2023

Ish-ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Nikki Haley tha të mërkurën se ka ardhur koha për të lënë pas “idetë e vjetra” ndërsa bëri thirrje për një brez të ri udhëheqësish në hapjen e fushatës për të marrë mbështetjen e Partisë Republikane në garën për Shtëpinë e Bardhë.

Haley është kandidatja e dytë e deklaruar që kërkon mbështetjen republikane për të sfiduar presidentin demokrat Joe Biden në zgjedhjet e vitit 2024. Ajo pritet të përballet tashmë me ish-Presidentit Donald Trump, i cili nisi pak kohë më parë fushatën për zgjedhjet presidenciale.

Ajo bëri gjithashtu thirrje për “teste të detyrueshme të aftësive mendore” për politikanët më të vjetër se 75 vjeç, një deklaratë e nënkuptuar ndaj Presidentit Biden dhe shefit të saj të dikurshëm, ish-presidentit Trump.

Ish-guvernatorja 51-vjeçare e Karolinës së Jugut deklaroi kandidaturën të martën përmes një video që bënte thirrje për udhëheqje të re të partisë, një goditje jo e drejtpërdrejte ndaj Trump, të cilin disa udhëheqës republikanë e fajësojnë për rezultatin zhgënjyes në zgjedhjet e nëntorit.

Haley përballet me vështirësi të mëdha në përpjekjet për të fituar emërimin e republikanëve, ndërkohë që një anketë nga Reuters/Ipsos, e publikuar të martën, tregon se vetëm 4% e republikanëve të regjistruar e mbështesin atë.

Sipas sondazhit të kryer ndërmjet 6 dhe 14 shkurtit, 43% e republikanëve të regjistruar e mbështesin zotin Trump, ndërsa 31% thanë se mbështesin guvernatorin e Floridës Ron DeSantis, i cili pritet të shpallë kandidaturën.

Haley shërbeu si guvernatore e Karolinës së Jugut nga viti 2011 deri në vitin 2017, një shtet që organizon një nga garat e para paraprake mes republikanëve.

/abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!