Hakerët e mbështetur nga kinezët vënë në shënjestër vaksinën amerikane për COVID-19

schedule09:07 - 31 Korrik, 2020

schedule 09:07 - 31 Korrik, 2020

Një zyrtar amerikan i sigurisë tha se disa hakerë të lidhur me qeverinë kineze, vunë në shënjestër këtë vit kompaninë bioteknike Moderna Inc,  në përpjekje për të vjedhur të dhënat.

Javën e kaluar, Departamenti amerikan i Drejtësisë njoftoi ngritjen e akuzave për spiunazh ndaj dy shtetasve kinezë, duke përmendur se në shënjestër të tyre ishin tre objektiva të panjohura në SHBA që merreshin me kërkime mjekësore për të luftuar pandeminë COVID-19.

Në aktakuzë thuhet se në janar hakerat kinezë “kryen vëzhgime” ndaj rrjetit kompjuterik të një firme bioteknike në shtetin Masaçusets, e cila dihet që merret me kërkime për vaksinën.

Moderna, e cila e ka qendrën në Masaçusets dhe ka njoftuar se po zhvillon njërën nga vaksinat kandidate, konfirmoi se kishte qenë në kontakt me FBI-në dhe ishte vënë në dijeni të aktiviteteve të dyshuara të hakerëve.

Ekspertët e sigurisë në internet thonë se aktivitetet e vëzhgimit nga hakerët mund të përfshijnë një gamë të gjerë veprimesh, përfshirë hyrjen në faqet publike për të zbuluar informacionin e llogarive të rëndësishme online.

“Moderna mbetet shumë vigjilente ndaj kërcënimeve të mundshme në internet”, tha zëdhënësi i kompanisë Ray Jordan, duke mos dhënë detaje të tjera.

As zyrtari amerikan i sigurisë nuk dha detaje. FBI dhe Departamenti amerikan i Shëndetësisë nuk pranuan të zbulojnë identitetet e kompanive të vëna në shënjestër nga hakerat kinezë.

Vaksina për të cilën po punon Moderna është ndër kandidatet e para të vaksinës kundër koronavirusit dhe administrata Trump mban shpresat te kjo kompani për të luftuar pandeminë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!