“Hakerat synuan fshirjen e sistemit te INSTAT”/ Tafa: Kishin qëllim zhdukjen e punës dhe aktivitetin e brendshëm

schedule15:55 - 3 Shkurt, 2024

schedule 15:55 - 3 Shkurt, 2024

Hakerat kërkonin fshirjen e sistemit të INSTAT. Kështu deklaroi për ABC News kreu i Autoritet kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike, Igli Tafa duke dhënë detaje nga sulmi kibernetik i së enjtes.

Nga analiza e deri tanishme është parë prezencë e indikatorëve apo treguesve që kanë pasur si qëllim fshirjen e sistemeve të INSTAT dhe kjo fshirje konsistonte në punën dhe aktivitetin e brendshëm të INSTAT.

Tafa hedh poshtë pretendimet e hakerave “Home Lend Justice” se kanë arritur të marrin mbi 100 terabajt të dhëna nga INSTAT duke përfshirë edhe të dhënat e fundit të mbledhura nga Censi.

“Por deri tani s’ka dalë asnjë gjurmë që të kompromentojë censit. Këto të dhëna janë të izoluara në një vend tjetër dhe nga analiza është parë që nuk janë gjetur gjurmë që shkojnë tek censusi. Deri tani censusi quhet i sigurt dhe i paprekur”.

Prej të enjtes, Ekipi teknik i INSTAT ka aktivizuar protokollet e emergjencës për të mbrojtur të dhënat dhe parandaluar dëmtime të mëtejshme.

Drejtori i AKCESK informoi se po punohet për rregullimin e legjislacionit që do të jetë gati në fund të shkurtit për unifikimin e proceseve të të gjitha institucioneve ndaj sulmeve kibernetike.

“Jo vetëm INSTAT por një mori institucionesh, me ligjin aktual nuk janë pjesë e auditimit dhe kontrollit dhe monitorimit teknik për shkak të barrierës së ligjit që pritet në fund të shkurtit të ndryshojë dhe të shkojë në Parlament dhe të japë fuqinë e duhur për të bërë proceset për të gjitha hapat e nevojshëm parandalues dhe reagues ndaj këtyre institucioneve”.

Pas sulmit kibernetik INSTAT ka vendosur të shtyjë publikimin e statistikave zyrtare, deri në një njoftim të dytë. publikimet dhe komunikimet e Institutit të Statistikave do të bëhen në kanalet zyrtare alternative të rrjeteve sociale, Instagram dhe Facebook./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!