Hakerat sulmojnë administratën federale të Zvicrës

schedule14:45 - 12 Qershor, 2023

schedule 14:45 - 12 Qershor, 2023

Administrata federale zvicerane pësoi një sulm kibernetik këtë mëngjes, duke bllokuar aksesin në faqet e internetit zyrtare dhe disa biznese të lidhura, tha qeveria në një deklaratë.

Përgjegjësia për këtë sulm, në formën e një mohimi të shërbimit (DDoS) që bllokon aksesin në faqet e internetit duke i mbushur me kërkesa, është marrë nga grupi “No name” që ishte përgjegjës për një sulm të ngjashëm javën e kaluar në faqen e internetit të parlamenti zviceran, sqarohet në njoftim.

“Ekspertët e administratës federale vunë re menjëherë sulmin dhe po ndërmarrin hapa për të rivendosur aksesin në faqet e internetit dhe aplikacionet sa më shpejt të jetë e mundur”.

Qendra Kombëtare e Sigurisë Kibernetike po udhëheq hetimin, thuhet në deklaratën e qeverisë, e cila nuk jep asnjë detaj në lidhje me hakerat “No name” në këtë moment.

“Qendra analizon sulmin së bashku me shërbimet kompetente administrative dhe përcakton masat e duhura”, nënvizojnë autoritetet, duke sqaruar se asnjë e dhënë nuk humbet në sulmet DDoS.

Në fillim të qershorit, autoritetet zvicerane thanë se po hetonin një tjetër sulm kibernetik kundër një ofruesi shërbimi, klientët e të cilit përfshijnë disa pjesë të administratës federale dhe kantonale, duke përfshirë ushtrinë dhe policinë federale.

Sulmi nga grupi i hakerëve PLAY kishte në shënjestër Xplain AG, një kompani zvicerane e specializuar në zgjidhjet e IT në fushën e sigurisë së brendshme.

Në atë rast, ishte një sulm ransomware në të cilin hakerët kodojnë të dhënat e informacionit të viktimës së tyre dhe kërkojnë një shpërblim për t’i bërë ato të aksesueshme përsëri. PLAY kishte nxjerrë disa nga të dhënat e vjedhura për të rritur presionin.

Drejtori i Xplain, Andreas Lovinger, tha për AFP se kompania nuk kishte asnjë kontakt me hakerët dhe se refuzoi të paguante një shpërblim.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!