Hahn për procesin “Screening”: I kënaqur nga Vettingu

schedule14:42 - 28 Shtator, 2018

schedule 14:42 - 28 Shtator, 2018

Shqipëria ka nisur punën përgatitore për përshtatjen e legjislacionit me atë të Bashkimit Evropian. Pas takimit me ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj e cila ndodhet në Bruksel për procesin e “screening”, Komisioneri Evropian për zgjerimin Johannes Hahn ka deklaruar se është i kënaqur me ecurinë e Vettingut, por Shqipërisë i duhet ende shumë punë për të arritur rezultatin e duhur.

Si zakonisht, në fillim thotë lavdërimet e më pas këshillon që Shqipëria të mos humbasë kohë për të arritur rezultatin e duhur deri në verën e vitit të ardhshëm.

Johannes Hahn, komisioneri Evropian për Zgjerimin: “Nuk kam ditë fikse në mendje, por jam i kënaqur nga procesi i Vetingut, duhet bërë akoma punë, ka shumë punë për të bërë deri në verën e vitit 2019, e mbështesim shumë këtë proces, por është edhe një detyrë shumë e fortë nga ana e Shqipërisë, që duhet ta përmbushë dhe nuk duam të humbasim aspak kohë, të gjithë duhet të jenë të ndërgjegjshëm, të mos harrojmë që duhet shumë punë për t’u bërë që të arrijmë rezultatin e duhur, deri në verë të 2019.″

Shumë punë ishte kërkesa që nënvizoi disa herë komisioneri evropian për zgjerimin në konferencën e përbashkët për shtyp me ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj. Në emër të qeverisë ministrja Gjonaj tha se Procesi screening është mjaft i rëndësishëm dhe shënon një faqe të re për mobilizimin e vendit për vijimin e reformave.

Etilda Gjonaj, ministre e Drejtësisë: “Kapitulli 23, më i vështiri dhe që duhet më shumë kohë, në rastin e Shqipërisë do të synohet që të mbyllet në një fazë të hershme. Vettingu ka kthyer besimin e munguar, por po transformohet duke larguar një numër të konsiderueshëm gjyqtarësh dhe prokurorësh. Procesi po vijon me vendosmëri. Rruga e shqiptarëve dhe rajonit është familja evropiane”.

Shqipëria dhe Maqedonia zhvilluan takimin e parë shpjegues të legjislacionit të Bashkimit Evropian për kapitullin e 23-të të negociatave të anëtarësimit, që ka në themel sistemin gjyqësor. Delegacioni shqiptar i kryesuar nga ministrja e drejtësisë Etilda Gjonaj është njohur me aktet ligjore dhe trajtimin e luftës kundër korrupsionit dhe të drejtave themelore të njeriut./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!