Eurokomisioneri për zgjerimin dhe fqinjësinë e mirë, Johanes Han theksoi se anëtarësimi i Serbisë në BE mund të ndodhë vetëm me normalizimin përfundimtar të marrëdhënieve me Kosovën. Ai nënvizon se 2025 është data më e përafërt për pranimin e vendeve të reja në Union.
Komisioneri europian për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Johhanes Hahn, në një intervistë për gazetën austriake Kurir, dha një porosi shumë të qartë për Beogradin por edhe për Ballkanin Perëndimor. Zyrtari I Bruskelit nënvizon se viti 2025 është data e përafërt për pranimin e vendeve të reja anëtare në Bashkimin Evropian.
“2025 nuk është një destinacion fiks, por një datë simbolike që duhet të motivojë rajonin. Do të ishte shumë ambicioze edhe për Serbinë, por teorikisht e realizueshme. Megjithatë, kjo është e mundur vetëm nëse zbaton shpejt dhe vendosmërisht hapat reformues dhe nëse marrëdhëniet me Kosovën i normalizon në mënyrë të detyrueshme e të përhershme”, nënvizon Hahn duke shtuar se vetëm rezultatet reformuese individuale llogariten në rrugëtimin për në BE.
Eurokomisioneri bën me dije se nga 2014 deri në 2020, Serbia do të përfitojë 1.5 miliard euro ndihma paraaderuese, veçanërisht për demokratizimin, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut, ekonominë dhe inovacionin, mjedisin dhe infrastrukturën, arsimin dhe vendet e punës. “Kjo ndihmë e BE-së është një investim në sigurinë dhe prosperitetin e Evropës”, shton ai.
Në fund, duke theksuar rëndësinë që ka Serbia në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Hahn ripërsërit se anëtarësimi do të bëhet individual dhe jo në bllok. /abcnews.al