Hagës i kërkohet lirimi i Thaçit, në Prishtinë ose në një vend që ka ofruar garanci

schedule14:45 - 8 Qershor, 2022

schedule 14:45 - 8 Qershor, 2022

Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi ka dorëzuar përpara gjyqtarit të procedurës paraprake, Nicolas Guillou të Gjykatës Speciale edhe kërkesën e tretë për lirimin e ish-kreut politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në arrest shtëpiak apo edhe lirimin në një shtet të tretë që ka ofruar garancitë, shkruan Gazeta Express.

Në këtë kërkesë avokati i Thaçit, Gregory W. Kehoe, ka thënë se vazhdimi i paraburgimit në Hagë bie ndesh edhe me liritë dhe të drejtat e njeriut.

Mbrojtja e ish-presidentit, teksa ka marrë shkas nga vendimi i fundit për refuzimin e lirimit të Thaçit në burg shtëpiak, si rezultat i mosbesimit në Policinë e Kosovës,  ka kërkuar nga gjyqtari i procedurës paraprake që të thërret një seancë dëgjimore dhe të urdhërojë edhe praninë në këtë seancë të drejtori të Policisë së Kosovës, kryeshefit të Njësisë së Paraburgimit të Republikës së Kosovës, dhe përfaqësuesit e qeverive të shteteve, emrat e të cilave janë të redaktuara në dokumentin e publikuar në faqen e Dhomave të Specializuara.

Gjithashtu kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të përkohshëm të Hashim Thaçit në kushtet që konsiderohen të nevojshme dhe të përshtatshme, deri në 30 ditë përpara se të fillojë gjykimi.

Ndërkohë Prokuroria ka thënë se as transferimi i Thaçit në arrest shtëpiak në Prishtinë e as lirimi i tij në vendet e treta “nuk do të zvogëlonte rrezikun e arratisjes, pengimit të gjykatës, ngacmimit të dëshmitarëve apo edhe përsëritjes së krimit”.

/Express