Të paktën 30 persona kanë rënë në prangat e policisë holandeze si pasojë e trazirave të shkaktuara në protestën kundër emigrantëve që u mbajt këtë fundjavë në Hagë.
Trazirat shpërthyen pasi rreth 1500 protestues të ekstremit të djathtë u përleshën me policinë, duke goditur ndaj efektivëve me sende të ndryshme, si dhe sulmuan zyrën e një partie të së majtës.
Protestuesit bllokuan autostradën A12, ndërsa mbanin veshur maska që mbulonin fytyrat e tyre. Një nga momentet më të tensionuara ishte përplasja e protestuesve me efektivët e policisë, teksa ata po shkonin drejt parlamentit.
Si pasojë e trazirave, dy oficerë policie mbetën të plagosur, ndërsa një automjet policie u dogj. Kryebashkiaku i Hagës deklaroi se kjo ishte një dhunë e paprecedentë, e nxitur nga huliganët ndaj autoriteteve dhe punonjësve shtetërorë.
Policia ka ngritur një njësi të posaçme për të identifikuar dhe ndjekur autorët e akteve më të rënda, përfshirë sulmet ndaj oficerëve, gazetarëve dhe aktet e vandalizmit.
Shefja e Policisë në Hagë tha se ata kishin sinjale se persona që synonin të përhapnin akte dhune do të merrnin pjesë në tubim, por ata nuk kishin parashikuar kurrë një grup kaq të madh dhe të dhunshëm.
Për shpërndarjen e turmës, policia përdori ujëhedhës dhe gaz lotsjellës.
Disa prej protestuesve mbanin edhe simbole të ekstremit të djathtë, përfshirë një variant të vjetër të flamurit kombëtar holandez me një vijë portokalli, i lidhur me partinë naziste holandeze (NSB) para Luftës së Dytë Botërore./abcnews.al
Hagë, protesta kundër emigrantëve/ Demostruesit përplasen me policinë, 30 të arrestuar
schedule07:36 - 21 Shtator, 2025
schedule 07:36 - 21 Shtator, 2025
