Dihej që më parë se ishte rreziku numër 1. Kur flitet për Botërorin, natyrisht së pari të shkojnë ndër mend një Mesi apo Mbape, pra Argjentina e Franca, por kur është fjala për golin, nuk mund të lihet pas tyre një Erling Haland.
Madje, ylli kryesor i Norvegjisë mund të cilësohet si mjeshtri i vërtetë i golit, të paktën për shpeshtësinë me të cilën shënon, edhe pse nuk e ka klasin teknik të kapitenëve të Argjentinës e Francës.
Futbollisti i Mançester Sitit ka 7 rrjeta deri tani në turne, duke luajtur një ndeshje më pak se rivalët kryesorë, sepse trajneri Solbaken e la pushim për sfidën kryesore të grupit, atë ndaj Francës, që nuk kishte vlerë për kualifikimin.
Gjithsej, Haland ka 4 ndeshje dhe 7 realizime, që do të thotë gati dy për çdo sfidë.
Jo vetëm që I shënoi dy herë Irakut dhe Senegalit në grup, por vazhdoi edhe me një rrjetë ndaj Bregut të Fildishtë në raundin e dytë.
Kulmi ishte sfida në të tetat e finaleve kur Norvegjia eliminoi Brazilin pesë herë kampion të botës, dhe gjigandi “viking” u përgjigj siç duhet në apel.
Firmën e Halandit e mbajtën të dy golat në fitoren 2-1. Në total, për kombëtaren, 25-vjeçari ka 62 gola në 54 ndeshje, dhe duket se i ka të gjitha mundësitë për të thyer rekordin e mbajtur nga Kristiano Ronaldo tek Portugalia./abcnews.al



