Mino Raiola ka nisur një turne takimesh në lidhje me të ardhmen e Erling Haaland. Agjenti i njohur i yllit norvegjez të Borussia Dortmund, u takua me presidentët e Barcelonës dhe Real Madrid, dy nga klubet e interesuara për sulmuesin 20-vjeçar.
Pep Guardiola u shpreh ditën e sotme se Manchester City e ka të pamundur të blejë një sulmues të madh, duke iu referuar pikërisht Haaland. Të njëjtën gjë ka bërë edhe Thomas Tuchel, trajneri i Chelsea.
“Kam respekt për lojtarin dhe Dortmund, kështu që nuk mund të flas në lidhje me Haaland. Ka shumë zëra rreth së ardhmes së tij. Më duket se agjenti i tij po krijon kushtet e duhura për një ankand në merkaton e verës.
Padyshim që Haaland është një futbollist i fortë dhe tepër premtues, por ai nuk është pjesë e Chelsea, nuk është pjesë e kontingjentit tonë, kështu që nuk mund t’i përgjigjem pyetjeve në lidhje me të“, deklaroi Tuchel. /abcnews.al