Guvernatori takon përfaqësues të Bankës Botërore

schedule19:15 - 4 Prill, 2022

schedule 19:15 - 4 Prill, 2022

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko u takua këtë të hënë me përfaqësues të Bankës Botërore, aty ku u diskutua mbi ndikimin që ka shkaktuar konflikti Ukrainë-Rusi edhe në ekonominë shqiptare.

Diskutimet e këtij takimi u përqendruan në situatën e krijuar nga konflikti Ukrainë-Rusi dhe ndikimin që ajo pritet të ketë në ekonominë shqiptare. Guvernatori Sejko u shpreh se ashtu si dhe në shtetet e tjera, sanksionet e vëna ndaj Rusisë dhe rritja e volatilitetit dhe e pasigurisë në tregjet ndërkombëtare kanë gjeneruar një realitet ekonomik të ri dhe sfidues global.

Guvernatori vijoi se pas analizave të thelluara të kryera nga Banka e Shqipërisë, ky realitet i ri ekonomik diktoi rishikimin e projeksioneve të mëparshme ekonomike dhe rivlerësimin e përshtatshmërisë së qëndrimit të politikës monetare.

Sejko u shpreh se veprimtaria e sektorit bankar po zhvillohet në kushte normale dhe treguesit e këtij sektori paraqiten të qëndrueshëm.

Përfaqësuesit e Bankës Botërore vlerësuan pozitivisht reagimin e menjëhershëm të politikës monetare të Bankës së Shqipërisë, e cila ndihmoi në qëndrueshmërinë e monedhës vendase.

Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë vlerësoi të nevojshëm ndryshimin e kahut të politikës monetare me kushtet e reja ekonomike, e cila synon të krijojë kushtet e nevojshme monetare për respektimin e objektivit të inflacionit, për ruajtjen e stabilitetit financiar, si dhe për rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të ekonomisë dhe të punësimit në Shqipëri.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!