Ditët e para të muajit gusht regjistruan fluksin më të lartë të automjeteve në pikën kufitare të morinit.
Edhe pse është një ditë e zakonshme jave, në hyrje të Shqipërisë janë krijuar kolona të gjata mjetesh me destinacion bregdetin shqiptar.
Rritja e lëvizjeve lidhet kryesisht me kthimin e emigrantëve për pushime në Kosovë, të cilët së bashku me familjet e tyre zgjedhin të kalojnë një pjesë të verës në bregdetin e Shqipërisë.
Për të përballuar fluksin, Policia Kufitare ka shtuar numrin e sporteleve në funksion dhe po zbaton procedurën e thjeshtuar të kalimit për automjetet me targa shqiptare dhe kosovare, me synim shmangien e pritjeve të gjata në kufi.
Vonesat më të mëdha regjistrohen në përpunimin e automjeteve me targa të huaja, kryesisht të emigrantëve, pasi për to vijojnë procedurat e plota të kontrollit kufitar.
Autoritetet kufitare parashikojnë që fluksi të mbetet i lartë edhe gjatë ditëve në vijim, ndërsa u bëjnë thirrje udhëtarëve të planifikojnë lëvizjet e tyre duke marrë parasysh ngarkesën e shtuar në pikat kufitare.


