Gurishta: Partizani është skuadër cinike, besojmë te kualifikimi në finale

schedule16:35 - 12 Prill, 2022

schedule 16:35 - 12 Prill, 2022

Në “Loro Boriçi” Vllaznia do të presë Partizanin për të zhvilluar mes tyre ndeshjen e kthimit të gjysmëfinales së Kupës së Shqipërisë, takim që luhet ditën e nesërme në orën 17:30.

Në konferencën për shtyp së bashku me Ardit Krymin ishte i pranishëm edhe kapiteni i shkodranëve, Erdenis Gurishta, i cili “qan” golin anulluar për Vllazninë në minutat e fundit që shkaktoi pakënaqësi te shkodranët.

Ftesa për tifozët: “Vijmë nga një moment delikat dhe na duhen të gjitha forcat që të shkojmë në finale. Na duhet ndihma dhe mbështetja e tifozëve. Pavarësisht situatës jo të mirë që po kalon ekipi. Na duhet ndihma e tifozëve dhe bashkë me tifozët mendoj se kemi mundësi dhe do t’ia dalim ditën e nesërme”.

Sa ju ka munguar skuadra? “Më ka munguar shumë dhe e kam përjetuar shumë në tribunë dhe në stol kur kam qenë, kam dashur që të isha në fushë, por ishte e pamundur sepse dëmtimi më la shumë gjatë jashtë fushës, por nesër do të jem në fushë do të jem aty për ekipin dhe shpresoj që t’ia dalim”.

Përkeqësimi: “Është e vërtetë që u përkeqësua, ndodhën shumë gjëra bashkë. Gjendja psikologjike e ekipit ishte e rënduar. Rezultate jo të mira që nga momenti i humbjes ndaj Tiranës, u përjetua shumë keq në Shkodër dhe ekipi filloi të kishte shumë probleme shumë mungesa. Gjendja fizike ishte e rënduar për shkak të mungesave, por i kemi lënë të gjitha pas dhe jemi fokusuar te ndeshja e nesërme, pasi është e vetmja mundësi e jona që të përsërisim atë të vitit të kaluar.”

Dëmtim dhe rikthim me Partizanin: “Kështu rastisi u dëmtova me Partizanin dhe u riktheva me Partizanin. Shpresoj të jem në gjendjen time optimale dhe të ndihmoj ekipin. E ndjeva për të thënë të vërtetën ndoshta nuk jam në 100% tim, por e ndjeva të jem aty për ekipin ose të gjithë bashkë të shkojmë në finale ose të gjithë bashkë të dështojmë”.

Kualifikim brenda 90 minutave apo me shtesë? “Të them të vërtetën nuk e kam menduar as kohën shtesë as penalltitë, unë besoj shumë te kualifikimi dhe jam i bindur që do kualifikohemi. Jam munduar që t’ja imponoj edhe skuadrës këtë besim dhe them se nesër do ta fitojmë ndeshjen. E di që do jetë shumë e vështirë pasi Partizani në këto ndeshjet e fundit është kthyer te ai Partizani i frikshëm e cinik, por duhet shumë besim dhe duhet të marrim përgjegjësi dhe ta çojmë ekipin në finale, pasi është i vetmi shpëtim për skuadrën”. /f.a/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!