Vllaznia fitoi 3-0 ndaj Siroki Brijeg, duke siguruar një kualifikim tepër emocionues në raundin e dytë të Conference League. Edhe pse kishin humbur 3-1 në Bosnje, djemtë e Thomas Brdaric besuan fort dhe ia dolën t’i dhurojnë tifozëve të zjarrtë një përmbysje të paharrueshme.
Kapiteni i kuqeblube, Erdenis Gurishta nuk i fsheh emocionet në prononcimin e dhënë për mediat. Rivali i radhës është AEL Limassol, skuadra nga Qipro. Vështirësia rritet, por anësori i djathtë është i qartë: Vllaznia do të synojë një tjetër kualifikim.
“Sinqerisht jam shumë i lumtur. Vllaznia pas dhjetë vitesh merr pjesë në Kupa e Evropës. Bëmë një ndeshje të mrekullueshme, sinqerisht jam shumë i lumtur.
Gjej rastin të falënderoj gjithë çunat, gjithë stafin, gjithë tifozët që kishin besim te ne, presidencën që na qëndroi pranë. Jam shumë i lumtur, shpresoj të vazhdojmë më tej.
AEL? Nuk e di, është herët., nuk kemi shumë informacion mbi kundërshtarin. AEL është një kundërshtar shumë i fortë, por do e shohim Vllazninë.
Do shohim ku janë mundësitë tona, por gjithsesi ne do futemi në fushë me qëllim që të kalojmë edhe turin tjetër. Kam shumë besim“, deklaroi kapiteni i skuadrës shkodrane. /abcnews.al