Vllaznia, e kapluar nga një krizë rezultatesh gjatë javëve të fundit përballet nesër me Korabin në “Loro Boriçi”, duke nisur nga ora 16:00 në llogari të çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë. Para kësaj sfide ka folur një nga lojtarët më të rëndësishëm të ekipit Erdenis Gurishta.
Ai shprehet se do e vlerësojnë maksimalisht ndeshjen e nesërme dhe tregon arsyen përse lojtarët vendosën të kthenin Brdaric në stol, pasi drejtuesit kishin vendosur më parë ta shkarkonin pas rezultateve të dobëta.
“Nëse deri tani kemi ardhur këtu ku jemi, kemi ardhur për meritë të të gjithëve dhe po ashtu, kur kalojmë një situatë të keqe, përgjegjësia është e të gjithëve. Por e them me bindje të plotë se trajneri ka mbështetjen e të gjithë ekipit dhe mund të them se është një ndër trajnerët më të mirë, që ka ardhur në Shkodër.
Jemi të lumtur që punojmë me Brdaric dhe të gjithë bashkë kemi për të vazhduar përpara drejt objektivit. Na vjen keq për situatën e krijuar që nuk është e mirë, por ekipi ka forca për të reaguar sa më shpejt dhe besoj se ky reagim do të vijë që nesër kundër Korabit dhe Vllaznia do të bëjë kthesën.
Sigurisht që po i bëjmë një vlerësim maksimal Korabit sepse siç dihet ka eliminuar Tiranën, ndonëse luan në Kategorinë e Parë. Ka një ekip simpatik, ka trajner të mirë, profesor Agim Canajn.
E vlerësojmë shumë këtë skuadër, por do të futemi në fushë vetëm për të fituar dhe për të kaluar këtë moment të vështirë, këtë ngërç psikologjik, që kemi krijuar dhe për ta kthyer atmosferën në anën tonë. Fitorja dhe kualifikimi janë detyre për ne. Momenti i kthesës për Vllazninë? Besoj se po. E rëndësishme është të kualifikohemi nesër dhe pastaj e gjithë vëmendja do të përqendrohet te Kastrioti”, u shpreh Gurishta. /abcnews.al